Hervin Çuli sërish drejtor Teatri, aktorët shprehen pesimistë

Pak ditë para se të jepej vendimi që Hervin Çuli të merrte mandatin e dytë si drejtor i Teatrit Kombëtar, Ora News kishte realizuar një grup intervistash me aktorë të jashtëm e të brendshëm të Teatrit Kombëtar, çfarë presin ata të ndryshojë me drejtuesin e ardhshëm.

Alfred Trebicka: Drejtori i Teatrit duhet të jetë një personalitet i gjithanshëm, jo thjesht një aktor apo regjisor por një personalitet në kompleksitetin e tij.

Arben Derhemi: Premtimi i parë ishte për reformë, gjë e cila nuk ndodhi. Premtimi i dytë ishte të kthente përsëri mbrapsht pagesat për figurat artistike për njerëzit të cilët punonin në Teatrin Kombëtar, gjë që nuk e bëri. Dhe premtimi i tretë ishte për Teatër Repertor, gjë të cilën nuk e bëri.

Shqetësimi i tyre në thelb ka të bëjë me politikat financiare dhe artistike, po aq edhe me pretendimet e drejtorisë për rikthimin e publikut në teatër, pretendime që lënë shumë vend për interpretim.

Ervin Bejleri: Teatri Kombëtar është një institucion i cili nuk mund të matet duke sjellë spektatorin por duke i edukuar sa spektatorë nxjerr Teatri Kombëtar, duke menduar për atë sa jetë ndryshon ai.

Alfred Trebicka: Brenda këtyre prurjeve që ka pasur Teatri ka pasur dhe gropa shumë të mëdha me të cilat kur duam merremi, kur nuk duam nuk merremi.

Në katër vitet e tij të para Hervin Çuli kishte premtuar hapjen me botën shqiptare jashtë kufijve, dhe më gjerë, me prezantimin e trupës në festivale evropiane të kategorisë A, dy pika që do tregonin nivelin e vërtetë të Teatrit Kombëtar.

Bujar Asqeriu: E vendosin të tjerë sesa cilësisht je ti. Nëse unë të them pastaj ty zoti regjisor, apo zoti Drejtor ti ke spektatorë? Atëherë merre një çikë këtë shfaqe dhe ballafaqohu jo në Europë se nuk arrin dot, por ballafaqohu një çikë në Ballkan.

Aktorët mendojnë se  atmosfera njerëzore që është premisë për mbarëvajtjen e punës në grup siç është puna në teatër, është cenuar rëndë.

Bujar Asqeriu: Tifozllëku, me kë është Drejtori, me kë është regjisori. Jo unë vë pjesë në teatër, marr shokët dhe shoqet e mija. Pse teatri i shokëve është ky?Teatri i miqve? Unë mund të kem shok dhe mik sa të duash ty por nëse nuk ke vlera nuk mund të fus në Teatrin Kombëtar. Nëse nuk të shikoj të bësh 5 vola në teatrin tjetër, si mund të fus në Teatrin Kombëtar?

Arben Derhemi: Duket sikur muret kanë veshë, duke sikur ti nuk duhet të flasësh me kolegët e tu se shkon fjala vesh më vesh. Kjo është e turpshme, kjo është e dhimbshme, kjo është tamam Rilindje. Ne po rilindim duke bërë spiunin e njëri-tjetrit.

Zgjedhja e Hervin Çulit edhe për katër vjet, është një shenjë për artistët se qeveria nuk ka hequr dorë nga qëllimi i saj për të rindërtuar një teatër të ri mbi të vjetrin duke e cenuar dhe shëmtuar përgjithmonë atë pasuri publike.

/Ora News

 

SHKARKO APP