Hetime dhe arrestime, SPAK jep “llogari” përpara KLP-së
Të enjten dhe të premten Kryeprokurori Olsian Çela dhe drejtuesi i SPAK-ut do të raportojnë përpara KLP-së mbi veprimtarinë e institucioneve që të drejtojnë për vitin 2020.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizon ditën e enjte, 27.05.2021, ora 10.00, në sallën e mbledhjeve të Këshillit, seancën dëgjimore me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela mbi raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me veprimtarinë e sistemit të prokurorisë gjatë vitit 2020.
Gjithashtu, ditën e premte, 28.05.2021, ora 10.00, në sallën e mbledhjeve të Këshillit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), z. Arben Kraja do të paraqesë raportin lidhur me veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2020” thuhet në njoftim.
Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kanë detyrim ligjor të raportojnë, të paktën një herë në vit, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë lidhur me ecurinë e veprimtarisë së strukturave përkatëse.
/ ABcnews