Hetimet, biznesmeni u vra në Durrës pas sherrit në lokal me mikun e tij

 

Shkaku i vrasjes së biznesmenit Arben Hasa në Durrës, sipas hetuesve tw çështjes erdhi pas konfliktit mes dy shokëve teksa po darkonin në një lokal, pranë zonës ku banonin. Sipas të njëjtave burime debati mes tyre ka degjeneruar me ofendime e kërcënime, por me ndërhyrjen e të tjerë personave ishte shuar.

Por, teksa mendohej që marrëdhënia mes dy shokëve ishte përmirësuar, Tila nuk e kishte harruar konfliktin, duke planifikuar  më vonë edhe ekzekutimin e mikut të tij.

Pasi i ka kërkuar ta shoqëronte deri në banesë me automjet, autori i krimit me vete kishte marrë dhe armën e zjarrit lloji kallashnikov. Sipas policisë kur viktima është afruar pranë zonës ku jetonte Miran Tila, ky i fundit e  ka qëlluar dy herë brenda automjetit me armë zjarri duke e lënë fillimisht të plagosur.

I dëmtuari mësohet se ka dalë nga makina në tentativë për të shpëtuar, por që është ndjekur për rreth 100 metra nga autori, i cili e qëlloi edhe tre herë të tjera, duke e lënë të vdekur në vend.

Ngjarja e rëndë u zbulua mëngjesin e së enjtes, ku  Arben Hasa, u gjet i vrarë në fshatin Manëz të Vjetër. Automjeti i viktimës në fshatin Shkallë, aty ku ishte braktisur nga autori. Në automjet u gjeten njolla gjaku, 2 copë fishekë dhe një gëzhojë automatiku.

Miran Tila me banim në Manëz, është shpallur në kërkim  dhe mbi të rëndojnë akuzat “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

SHKARKO APP