Hetimi për lejet e ndërtimit, pezullohet nga detyra kreu i IMT në Tiranë
Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të kreut të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Tiranës (IMT), Rigers Sheqeri.
Ai akuzohet për abuzim me lejet e ndërtimit.
Po ashtu, është vendosur masa e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitje” për një sipërmarrës, i cili akuzohet për ndërtim pa leje.
Sipas njoftimit për mediet, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u caktuan masat e sigurimit ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasit E.P. dhe R.Sh nën akuzë për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ndërsa për shtetasin P.C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Ndërtim i paligjshëm’, u kërkuan masat e sigurimit ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Në vijim të hetimeve të kryera në lidhje me procedimin penal Nr.337/2026, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga shtetasi A.A., administrator i shoqërisë “AL OIL 2019”sh.p.k., i cili pretendoi se në pronën e kësaj shoqërie, janë kryer punime që kanë sjellë si pasojë dëmtimin e saj si dhe punime ndërtimi pa leje, rezultoi se për punimet e ndërtimit objekt hetimi ndodhur në Njësinë Administrative Farkë dhe e regjistruar pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-Tirana Rurale 1, është e nevojshme pajisja me leje ndërtimi dhe se shoqëria “Eurocol” sh.p.k. nuk ka qenë e pajisur me një leje të tillë.
Po kështu, rezultoi se punojësit e IMT pranë Bashkisë Tiranë, fillimisht kanë mbajtur procesverbalin për konstatimin e kundërvajtjes Nr. 8331”, datë 29.12.2025, në të cilin është konstatuar një fakt i tillë, ndërsa më pas, Kryeinspektori i këtij institucioni R. Sh., duke u bazuar edhe në relacionin e përgatitur nga juristi E.P., ka vendosur mbylljen e procedurës, në kundërshtim me ligjin, pa marrë ndaj subjektit ndërtues asnjë nga masat administrative të parashikuara nga Neni 5 i ligjit Nr. 9780, datë 16.07.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”. Në këtë rast ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit R.Sh. dhe E. P., kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
KOHA JONË SONDAZH

