Hetohet edhe Leo Messi për skandalin e Panamasë

Edhe futbollisti i madh Messi do hetohet. Qeveria spanjolle ka reaguar pasditen e sotme pas Lionel Messin, pasi skandalit të “Panama Papers”. Autoritetet spanjolle kanë deklaruar se do të hetojnë rastin.

“Do hetojmë edhe raste të tjera të spanjollëve të përfshirë në këtë skandal”, theksojnë autoritetet spanjolle.

Skandali i fshehjes së pasurive i “Panama Papers”, përfshin në listë emra të njohur botërorë.
Reagimi i Messi

Familja e futbollistit të Barcelonës Leo Messi ka reaguar me një deklaratë për mediat, ku mohojnë se ylli katalanas është i përfshirë në raportet e fundit të cilat e lidhin atë me pastrim të parave në kuadër të skandalit “Panama Papers”.

Ata thonë se të gjitha akuzat kundër tij janë të rreme dhe se po shqyrtojnë mundësinë që të padisin të gjitha mediat që kanë shkruar.

“Lionel Messi nuk ka kryer asnjë aktivitet për të cilin flitet dhe këto janë akuza të rreme, të cilat kanë të bëjnë me evazion fiskal dhe krijimin enjë rrjeti të pastrimit të parave”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga familja Messi.

Ata insistojnë se kompania për të cilën është bërë fjalë, Mega Star Enterprises është joaktive e cila kurrë nuk ka pasur fonde në llogari rrjedhëse.

Skandali që rrethon Leo Messi

Ai është i vogël (169 centimetra), por sherrin e ka të madh. Deri më tani mendohej se ky sherr i tij kufizohej në fushën e futbollit, aty ky Lionel Messi është mbret. Por të dhënat e zbuluara në «Letrat e Panamasë» tregojnë se Messi dyshohet të ketë bërë sherre edhe jashtë fushës së blertë. Fjala është për transaksione të dyshimta financiare.

Argjentinasi Lionel Messi është 28-vjeçar dhe ka arritur pothuaj gjithçka në sportin mbase më të popullarizuar në botë. Ka qenë pesë herë futbollist i vitit (i shpallur nga FIFA), shtatë herë kampion spanjoll (me Barcelonën), katër herë e ka fituar Ligën e Kampionëve. Messi është njëri prej futbollistëve më të paguar në botë dhe mbase më i miri.

Revista «France Football» ka vlerësuar se në vitin 2015 Messi ka fituar 65 milionë euro. Vetëm në Barcelonë ai merr për çdo vit 36 milionë euro. Pjesa tjetër e parave rrjedh nga reklamat. Cristiano Ronaldo fiton «vetëm» 54 milionë euro, braziliani Neymar 36,5 milionë euro.

Në fund të majit Messi do të dalë para gjyqit në Spanjë për t’u ballafaquar me akuzën për evazion fiskal në vlerë prej 4,1 milionë euro. Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» shkruan se degëzimet e firmave «offshore» të Messit janë po aq të ndërlikuara sa lëvizjet e tij në fushën e futbollit. Krahas akuzave nga drejtësia spanjolle, tani në «Letrat e Panamasë» gjendet edhe një firmë tjetër deri më tani e panjohur, gjysma e së cilës me gjasë i takon Messit. Për këtë firmë gjatë një kohe është kujdesur zyra e avokatisë Mossack Fonseca, e cila përveç se në Panama ka përfaqësi edhe në shumë vende të tjera dhe është e specializuar për menaxhim të firmave «offshore». Firma e Messit quhet Mega Star Enterprises.  Në një dokument të siguruar nga gazetarët hulumtues shihen nënshkrimet e Lionel Messit dhe babait të tij Jorge Horacio Messi. Në dokument një bashkëpunëtor i një zyre të avokaturës nga Uruguai e njofton avokaturën Mossack Fonesca se të autorizuarit final të Mega Star Enterprises janë Messi junion dhe Messi senior.

Sipas drejtësisë spanjolle Messi nuk i ka deklaruar për tatim 10,1 milionë euro të fituara nga reklamat – për shembull nga Adidas, Banco Sbadell, Danone dhe Telefónica. Në këtë mënyrë ai ka kursyer 4,1 milionë të cilat është dashur t’i paguajë  si tatim. Ndërkohë ai e ka paguar këtë shumë, por duket se drejtësia spanjolle synon t’i jap një leksion. Sa i përket Mega Star Enterprises Messi në dokumente ka deklaruar se qëllimi i firmës janë «investimet», ndonëse në «Letrat e Panamasë» nuk janë gjetur kontrata për ndonjë investim. Kur është marrë në pyetje nga një gjykatëse hetuese në Spanjë, Messi ka thënë: «Nuk shikoj çka nënshkruaj. Nëse më thotë babai im, unë nënshkruaj symbyllur».

SHKARKO APP