Hillary Clinton mes shqiptaro-amerikanëve: Ju dua në skuadrën time!

Hillary Clinton, ka qenë së fundmi në një takim mes shqiptaro-amerikanëve në Nju Jork, ku kujtoi bashkëpunimin e hershëm me këtë komunitet dhe ata që ta mbështesin në garën për presidente.

Gjithçka u organizua në shtëpinë e Sal Rusit, biznesmenit, filantropistit dhe aktivistit të njohur shqiptaro­-amerikan, figura e njohur e një familjeje me kontribut të madh në Nju Jork dhe në Dibër.

Kujtojmë se shqiptaro­-amerikanët në Nju Jork, kanë një bashkëpunim të vjetër me zonjën Clinton, në kohën kur ajo ishte për tetë vjet senatore e Shteteve të Bashkuara. Si Sekretare e Shtetit ajo ruajti vëmendjen ndaj Ballkanit dhe punoi për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, si edhe vizitoi Shqipërinë me rastin e 100­-vjetorit.

Kurse në kohën kur ishte Zonja e Parë e Amerikës, ajo vizitoi kampet e refugjatëve nga Kosova në Maqedoni dhe argumentoi publikisht në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-­s për çlirimin e Kosovës.

Dhe në fjalën e saj përpara shqiptaro-­amerikanëve të mbledhur, ajo solli kujtime nga vizita e saj në rajon, ndërkohë që përmendi krizën që po ndodh sot me refugjatët në Europë.

“Nuk arrija ta besoja në atë kohë që në Europën e viteve ‘90, njerëzit plaseshin nëpr vagona treni e dëboheshin nga shtëpitë e tyre”, tha ajo, duke treguar pastaj sesi kishte shkuar në Maqedoni çadër më çadër për të biseduar me burra e gra nga Kosova.

Ajo e paraqiti suksesin e SHBA­-ve në atë kohë në bashkëpunim me aleatët për të sjellë paqen dhe qendrueshmërinë në Ballkan si një shembull për të zgjidhur edhe problemet e sotme në Europë. Kujtimet e asaj kohe ishin në kontrast me vizitën e saj të mëvonshme në Ballkan.

Ajo foli gjithashtu edhe për momentin kur pa statujën e Presidentit Bill Clinton në Kosovë dhe tregoi me humor për episodin kur u fut në shitoren që ka emrin e saj aty afër.

“Ia vura emrin se nuk doja që presidenti të ndihej vetëm”, i kishte thënë pronarja e dyqanit.

 Hillary Clinton tha nga ana tjetër se megjithë ndryshimet e mëdha në Ballkan ku jeta është më e mirë, puna ende nuk ka mbaruar.

Por ajo nënvizoi se ndërhyrja e NATO-­s në Kosovë mbetej një nga momentet më krenare të presidencës së bashkëshortit të saj. Hillary Clinton u tha shqiptarëve të Amerikës se ndryshimet e mëdha të arritura në Ballkan, vendosja e paqes dhe e qendrueshmërisë, pavarësia e Kosovës, integrimi etj., janë fryte edhe të punës së madhe që kanë kryer ata si shqiptaro­amerikanë. “Ju erdhët këtu, realizuat ëndrrën amerikane dhe tani po e bëni këtë ëndërr edhe më të bukur”, tha ajo. “Vendosmëria juaj, mbështetja juaj për këtë vend dhe për atdheun nga erdhët është ajo çfarë kanë bërë emigrantët në këtë vend për breza të tërë. Është një histori e mrekullueshme dhe unë po kandidoj si president që të bëj të sigurt, që kjo histori të vazhdojë”, shtoi më tej.

Duke përfunduar me ftesën që shqiptaro-­amerikanët ta nidhmojnë në misionin që ajo ka marrë duke kandiduar për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Amerikë.

“Dua të jem partnerja juaj që ta ndihmojmë këtë vend të forcohet, të rritet begatia e të shtohen mundësitë. Dua që të jem partnerja juaj në punën për ta forcuar edhe atdheun e rajonin nga keni ardhur, që të ketë edhe aty më shumë begati e mundësi në vend të luftës dhe vuajtjeve. Këto zgjedhje, janë për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara por edhe për të ardhmen e udhëheqjes amerikane në botë. Afroni sa më shumë njerëz në këtë nismë, se dua të jeni në skuadrën time. Një skuadër që mbledh bashkë njerëzit me mentalitetin e duhur, në mbarë vendin tonë, njerëz që jo vetëm do të më ndihmojnë të zgjidhem, por edhe që do të bëjnë të sigurt që premtimet që po jap do të mbahen të gjitha”, tha ajo.

 

SHKARKO APP