Himara drejt zgjedhjeve të parakohshme

Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Alfred Belerin që e shpall atë fajtor, ka shkaktuar një reaksion zinxhir në institucionet vendore dhe qendrore.

Rasti i Belerit është i ndryshëm nga vakancat e krijuara në të shkuarën në bashki të ndryshme pasi ai nuk ka marrë asnjëherë mandatin zyrtarisht, e për pasojë, nuk mund të shkarkohet nga detyra. Nga ana tjetër, Beleri tashmë i dënuar, është subjekt i ligjit të dekriminalizimit, si e vetmja normë ligjore që e vendos atë në kushtet e papajtueshmërisë së mandatit të të zgjedhurit përball veprës penale të korrupsionit zgjedhor.

Vendimmarrja për këtë çështje pritet të mos jetë diçka e shpejtë pasi procedura parashikon se pas vendosjes në lëvizje të KQZ-së, duhet marrë zyrtarisht vendimi gjyqësor që shpalli fajtor Belerin veprim i cili i paraprin aktit final të ndërprerjes së mandatit.

Pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhore duhet të njoftojë zyrtarisht Presidentin e Republikës, akt i cili fut në lojë afatet ligjore. Konkretisht, kreu i shtetit ka 48 orë kohë për të dekretuar një datë për zgjedhjet e pjesshme të parakohshme për Bashkinë e Himarës, datë e cila nuk mund të jetë më herët se 30 ditë nga marrja e njoftimi e jo më vonë se 45 ditë. Aritmetika e afateve lë të kuptohet se krahas temperaturave të larta të verës, Himara mund të nxehet edhe nga një fushatë zgjedhore në pikun e sezonit turistik.

Petro Beleri, djali i Alfred Belerit përflitet si kandidatura me më shumë probabilitet. Në kampin e socialistëve, si kandidat potencial përmendet emri i Vangjel Tavos, gjithashtu pjesë e minoritetit grek, për vite deputet i qarkut të Gjirokastrës, por së fundmi i dërguar si Prefekt i Vlorës.

SHKARKO APP