Himara pa kryetarë bashkie, Tavo tregon formulën si do përzgjidhet drejtuesi i qytetit
Himara ka mbetur përkohësisht pa një drejtuar pasi dy kryetarë bashkie ndodhen në burg. Në këtë situatë këshillit bashkiak i duhet të caktojë një drejtues të ri. Sipas ligjit detyra i kalon atij që mban pozicionin e nënkryetarit të bashkisë, por në rastin e Himarës, janë dy nënkryetarë, Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria. Parlamentit vendor tashmë i bie barra për të përcaktuar sipas ligjit për pushtetin vendor, kryetarin e ri në detyrë.
“Tani këshilli bashkiak mblidhet , në rast kur ka vetëm një kryetar ai del automatikisht në detyrë, por ne këtë rast kemi dy, këshilli i bashkisë cakton një nga këta. Nuk ka zgjedhje, ligji thotë cakton, se nëse do të ketë zgjedhje do ketë si zakonisht kuti e fletë votimi, por kur thuhet cakton pra vetë këshilli cakton, se si e dinë vetë ata”, tha prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo.
Për të mësuar se cili do jetë drejtuesi i ri i bashkisë, në rastin më të mirë qytetarët do të presin deri nesër kur është parashikuar edhe mbledhja e radhës e këshillit bashkiak. Por nëse kjo pikë nuk do të diskutohet në rendin e ditës, atëherë do të duhet të pritet e hëna për të parë se si do të zgjidhet ngërçi në bashkinë e Himarës.