Historia e dhëmbëve të Hitlerit dhe dyshimet mbi vdekjen në 1945
Ekzaminimi i dhëmbëve të Hitlerit ka rrëzuar çdo dyshim që ai vdiq me të vërtetë më 1945. Historia e dhëmbëve të Hitlerit është jo vetëm një histori e vdekjes së kryenazistit, por edhe e propagandës së Luftës së Ftohtë
Ekipit të shkencëtarëve iu lejua të ekzaminojë edhe pjesë të kafkës së Hitlerit, për të konfirmuar se me ç’mjete e kreu vetëvrasjen ai. Dhëmbët përputhen me përshkrimet e dentistit të Hitlerit dhe nuk tregojnë asnjë gjurmë mishi – në përputhje me faktin se Fyhreri ishte vegjeterian.
Përfundimet e reja duhet t’u japin fund, por ndoshta kjo nuk do të ndodhë, përfytyrimeve të çmendura se drejtuesi nazist në njëfarë mënyre shpëtoi në shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore.
“Ne mund t’u japim fund të gjitha teorive të komplotit për Hitlerin”, tha Charlier. “Ai nuk është arratisur me një nëndetëse në Argjentinë; ai nuk ndodhet në një bazë të fshehur në Antarktidë ose në anën e errët të Hënës”.
Në vend të kësaj, historia e Hitlerit mori fund në atë mënyrë, si e beson çdo historian serioz: me një vetëvrasje të përbashkët në bunkerin e Fyhrerit në gërmadha e kryeqytetit nazist.
Identifikimi i trupit të Hitlerit
Deri në 30 prill 1945, trupat sovjetike patën avancuar deri në 500 metra në afërsi të komandës së nëndheshme të Hitlerit në zemrën e Berlinit. I rrethuar dhe pothuaj në pamundësi për të komunikuar me ato pjesë të ushtrisë gjermane, Vehrmahtit që kishin mbetur, Hitleri e kuptoi se ëndrrat e tij për Perandorinë mijëvjeçare ose të Rajhut, patën marrë fund.
Pasdite herët, Hitleri u tërhoq me të dashurën e tij prej shumë vjetësh dhe bashkëshorten që prej më pak se dy ditësh, Eva Braun, në apartementin e tij personal. Atje ata pinë nga kapsula cianidi dhe e vranë veten me armë. Trupat e tyre – së bashku me ato të dy qenve të tij – u zbuluan në orën 15.15.
I ndërgjegjshëm se italianët e patën çnderuar kufomën e Benito Mussolinit, Hitleri pati lënë udhëzime, se si do të veprohej me kufomën e tij dhe të Eva Braunit. Ato i nxorrën nga bunkeri dhe i dogjën.
Vetëm në 5 maj zbuluan forcat e armatosura sovjetike një trup të djegur në një krater bombe dhe e identifikuan atë si trupin e Hitlerit.
“Dhëmbët e Hitlerit qenë të këqia – dhe në atë mënyrë të këqia – sa vetëm dhëmbët e tij e mundësuan që të identifikohet kufoma e tij”, shkroi në një artikull të botur në internet patologu forensik Mark Benecke, të cilin Televizioni National Geographic e ngarkoi që të ekzaminojë ato që kanë mbetur nga Hitleri. Ai shton se kariesi dhe sëmundjet e mishit të dhëmbëve ndoshta kanë qenë shkaku për frymën me erë tmerrësisht të keqe të Hitlerit.
Sovjetikët i krahasuan dhëmbët e viktimës, që kishin proteza që binin në sy dhe të pazakonta dhe ura, me përshkrimet e ndihmësdentistes Käthe Heusermann. Më vonë, dentisti personal i Hitlerit, Hugo Blaschke, do të konfirmonte informacionet e aleatëve.
“Dhëmbët e tij qenë kaq të këqia, sa dentisti i tij rrinte me të në bunker”, i thotë Liubov Summ, mbesa e përkthyeses ruse të Heusermannit, Elena Rshevskaja, gazetës Times of Israel. “Ekzistojnë fotografi që janë shumë të pakëndshme për t’i parë”.
Dinakëria e Stalinit – në themel të teorive të komplotit për Hitlerin
Rshevskajan e ngarkuan me dhëmbët e Hitlerit, sepse ekzistonte frika që ushtarët meshkuj të Ushtrisë së Kuqe do të deheshin dhe do t’i hiqnin nga ai vend dhëmbët. Ajo i solli ato që kishin mbetur nga Hitleri në Moskë. Por megjithëse sovjetikët e dinin me siguri që Hitleri kishte vdekur, Stalini urdhëroi që lajmi të mos përhapet. Në vend të kësaj duhet të përhapej lajmi, se aleatët perëndimorë e patën ndihmuar Hitlerin të arratisej fshehtas.
“Ishte një farsë mashtruese, një përpjekje e çuditshme, për ta fshehur faktin se u gjet kufoma e tij”, shkroi Rshevskaja në kujtimet e saj, të cilat u botuan më 1965 në gjuhën ruse, por të cilat u botuan vetëm në mars të këtij viti në gjuhën angleze. “Hitleri nuk qe më vetëm një simbol i luftës, ai u bë një simbol për një pjesë që duhet të vazhdonte.”
Fushatën e dezinformimit rusët e quajtën “Operacioni Mit”. “Strategjia e Stalinit me sa duket konsisonte shumë qartë në lidhjen e Perëndimit me nazizmin, duke përhapur që britanikët ose amerikanët duhet ta fshihnin atë”, shkroi historiani Anthony Beevor në librin e tij “Berlin- Rënia: 1945”.
Në kombinim me faktin se nazistë të shquar si Adolf Eichmanni dhe Josef Mengele u arratisën me të vërtetë në Argjentinë, dinakëria e Stalinit është në themel të lindjes së teorive të komploteve, se Hitleri në njëfarë mënyre kishte mbetur gjallë në Luftën e Dytë Botërore.
KOHA JONË SONDAZH
Si ishte viti 2025 për ju?
Results
Vota totale: 26085

