Historia e jashtëzakonshme e 27-vjeçarit rus, Dr. Leonid Rogozov që operoi veten

Nga Albert Vataj
Ju mund të keni dëgjuar për këtë histori, por përmes një fokusi më të plotë, do të krijoj panoramën e asaj që rreket të tregohet reale në atë që mbeti e paimagjinueshme.
Ka raste në histori kur njeriu, i gjendur përballë kufirit të fundit të mundësive njerëzore, zgjedh të mos dorëzohet. Zgjedh të qëndrojë. Dhe pikërisht aty ku trupi kërcënon me dështim, është mendja, është vendosmëria, që ngrihet mbi gjithçka. Kjo është historia e një mjeku që, i rrethuar nga akulli, heshtja dhe pamundësia, gjeti mënyrën për të shpëtuar vetveten.
Në vitin 1961, në një nga skajet më të largëta dhe më të pamëshirshme të tokës, në Antarktidë, një 27-vjeçar sovjetik, mjeku Leonid Rogozov, bëri të pabesueshmen. I vetmi mjek në stacionin polar Novolazarevskaya, ai u përball me një situatë për të cilën as manualet më të avancuara të mjekësisë nuk japin zgjidhje: kishte zhvilluar apandesit akut, një sëmundje që, pa ndërhyrje kirurgjikale, është fatale. Por nuk kishte askënd tjetër përreth që mund ta operonte. Asnjë avion nuk mund të zbarkonte në atë klimë. Asnjë ndihmë nuk mund të vinte.
Ai vendosi të operojë… vetveten.
Në ditarin e tij, Rogozov shkruan:
“Nuk kam fjetur fare natën. Dhimbjet janë të padurueshme. Një stuhi dëbore më shkul shpirtin, ulëret si njëqind çakej. Ende asnjë shenjë e qartë e shpërthimit, por një parandjenjë e rëndë më rëndon mbi kraharor… Kjo është. Më duhet të mendoj rrugën e vetme të mundshme: të operoj veten. Gati e pamundur… por nuk mund të rri duarkryq.”
Me ndihmën e dy anëtarëve të ekspeditës, jo profesionistë të mjekësisë, të cilët i mbanin pasqyrën, i shërbenin instrumentet dhe i fshinin djersën nga balli, Rogozov nisi operacionin më të rrezikshëm që njeh mjekësia moderne. Gjatë 1 orë e 45 minutash, ai punoi pa doreza, duke përdorur një pasqyrë për të parë pjesët e padukshme të barkut të vet dhe duke ndjekur instinktin profesional, jo pamjen e drejtpërdrejtë. Çdo veprim ishte një akt heroizmi dhe vetëkontrolli.
Ai kujton:
“Punova pa doreza. Ishte vështirë të shihja. Pasqyra më ndihmon, por gjithçka më shfaqet përmbys. Punoja kryesisht me ndjesinë e prekjes. M’u përshkua një mendim i tmerrshëm: mos ka dëmtime të tjera që nuk i kam vërejtur? Fillova të ndihesha i dobët, koka më sillej. Çdo 4-5 minuta pushoja për 20-25 sekonda. Më në fund, ja ku ishte, apandesiti i mallkuar! Me tmerr vërejta një njollë të errët në bazën e tij, që do të thoshte se po të kisha pritur edhe një ditë, do të kishte shpërthyer.”
Operacioni përfundoi me sukses. Brenda pak ditësh, Rogozov nisi të ecte. Pas dy javësh, rifilloi detyrat si mjek i ekspeditës. Kur u kthye në Leningrad, vijoi karrierën në spitale të njohura, duke u bërë simbol i kurajos dhe përkushtimit profesional.
Ai ndërroi jetë në vitin 2000, por historia e tij vazhdon të përmendet në tekstet mjekësore, në dokumentarë dhe në ekspozita që flasin për kufijtë e njerëzores. Në Rusi, portreti i tij është ekspozuar si pjesë e trashëgimisë shkencore kombëtare.
Mësimi i kësaj historie?
Njeriu mund të jetë më shumë se viktimë e fatit. Ai mund të jetë kirurg i fatit të tij.
Në një botë ku shpesh pranojmë dorëzimin si zgjidhje, historia e Dr. Rogozov është një kujtesë: ndonjëherë, mjafton një pasqyrë, një dorë e palodhur dhe një zemër që nuk dorëzohet, për të shpëtuar jetën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?