Historia/ Lulzimja hyri 18 vjeçe në rafineri, humbi dhe syrin, sot 54 jeton me lista e borxhe

Lulzime Sulka që në moshën 18 vjeçare ka nisur punën në ambientet e uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh.

Sot 54 vjece, teksa ndodhet në ditën e 8 të grevës së urisë, tregon se që në moshë të re ka mbaruar shkollën për përpunimin e naftës dhe pas disa muajsh ka nisur punën.

Për 35 vite ajo ka punuar si teknologe në repartin e transportit ndërsa tregon se puna e gjatë më këtë uzinë ka qenë e vështirë.

“Teknologe, atje kam humbur dhe syrin. Jam invalide dhe kam shkuar në uzinë 18 vjeçe. Shkonim direkt nga shkolla, që e kam bërë për përpunim nafte. Në qershor kam mbaruar shkollën, në tetor kam filluar punën”, tregon ajo.

Si shumë kolegë të tjerë edhe ajo ka 26 rroga të prapambetura në uzinë dhe gjendja ekonomike është shumë e vështirë.

“Sa ishte shteti kemi qenë në rregull dhe na jepnin atë që na takonte. Pasi filloi privatizimi patëm probleme. Sidomos kohët e fundit na kanë lënë me 26 rroga pa dhënë. Çfarë do bëjmë, ku do vejmë“, vijon Lulzimja.

Familja prej 5 anëtarëshe, me 1 milionë lekë borxhe në dyqane, me Lulzimen invalide të punës, dhe me kredi të pashlyera, dikur mbahej vetëm me rrogën e saj që nuk e ka më.

“Nëpër borxhe te njerëzit, me kredi. Borxhi më i madh në një dyqan është 1 milion lekë. Do marrësh ilaçe, rroba, sapun.”

Punëtorët e Rafinerisë së Ballshit nisën grevën e urisë 25 ditë më parë por pas rëndimit të gjendjes së tyre, burrat ndërprenë refuzimin e ushqimit për tua lënë vendin grave tetë ditë më parë. Naftëtarët dhe bashkëshortet e tyre i kërkojnë kryeministrit zgjidhje përfundimtare për problemin e tyre.

Historia/Lulzimja hyri 18 vjeçe n'rafineri, humbi dhe syrin, sot 54-vjeçarja jeton me lista e borxhe

SHKARKO APP