Hoffman: Integrimi në BE, varet nga reforma në drejtësi

 

Ambasadori gjerman në vendin tonë, Hellmut Hoffmann, u ka bërë edhe njëherë të qartë autoriteteve shqiptare dhe aktorëve politikë sesa e rëndësishme është reforma në drejtësi në çuarjen përpara të proçesit të integrimit europian.

“Është e qartë për të gjithë sesa varen nga reforma e gjyqësorit hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE. Raporti i fundit i Komisionit nuk lë asnjë dyshim për këtë. Jemi duke kërkuar për zgjidhje të logjikshme rreth të cilave ka një konsensus sa më të gjerë gjë që do të siguronte dhe votat e duhura në parlament. Miratimi i një reforme të kuptimtë do të ishte një hap i parë dhe i vendosur për të ndërtuar besimin në gjyqësor. Qeveria ime po e shqyrton me shumë kujdes reformën e gjyqësorit”, tha ai.

Ndërsa duke folur në tryezën konsultuese për drejtësinë kushtetuese, ambasadori gjerman theksoi se ka shumë gjëra normative që mund të bëhen në sistemin gjyqësor për të luftuar korrupsionin.

Prokurorët dhe gjykatësit duhet të jenë të përkryer në punën që kryejnë.Të gjithë ankohen për korrupsionin masiv në gjyqësor pothuajse gjatë gjithë kohës. Ka gjyqtarë dhe prokurorë që jetojnë në kushte pasurie të pazakosnhme që në asnjë rrethanë nuk do të arrijnë përmes rrogës së tyre. Ata pretendojnë shpesh që këtë pasuri e kanë nga prindërit apo bashkëshortët. Dëgjohen gjithashtu që ka vrasës apo kriminelë të lirë në rrugë sepse me sa duket kanë bërë pazar me gjyqtarët dhe prokurorët. Është shumë e rrallë që një gjyqtar apo prokuror të pushohet nga puna si rrjedhojë e një mase disiplinore apo procesi disiplinor. Nuk kemi nevojë të themi më shumë për të treguar se pse është kaq e rëndësishme që të ndërmerren veprime të dukshme dhe të vendosura për ta bërë të qartë që shqiptarët jo vetëm flasin për këtë problem por edhe e zgjidhin këtë problem. Ka shumë gjëra normative që mund të bëhen në sistemin gjyqësor që do të ndihmonin për të luftuar korrupsionin me kalimin e kohës”, citoi Hellmut Hoffmann.

SHKARKO APP