Hofman: Universitetet private kanë qenë ftesë e hapur për korrupsion

 

Në një kohë që tregu i punës kërkon persona të trajnuar në nivel akademik, por dhe të zanateve, në Shqipëri ka më shumë juristë dhe ekonomistë.

Ajo që është më keqardhëse është se një pjesë e tyre kanë dalë nga universitete private, të cilat për vite kanë qenë ftesa të hapura për korrupsion.

I ftuar në  konferencën "Profesionet më të kërkuara”, që u zhvillua paraditen e sotme në Tiranë, ambasadori gjerman Helmut Hofman tha se ishte e parashikueshme që këto universitete asnjëherë nuk mund të kontrolloheshin për cilësinë dhe standardet.

“Duhet të kuptohet që nuk është ide e mirë të edukohen kaq shumë juristë dhe ekonomistë. Përveç kësaj, ka ndodhur në 45 universitete private, standardet e të cilave për cilësinë, dhe besoj se të gjithë e kishin parashikuar se asnjëherë këto universitete nuk do të mbiqyreshin siç duhej sepse është e pamundur të bëhej kjo. Ka dhe universitete private, më vjen keq që e them këtë, që mund të kenë qenë dhe ftesë e hapur për korrupsion, dhe besoj se këto 10- 15 vitet e fundit kjo ka ndodhur dhe është parë që ka ndodhur dhe nuk është ide e mirë që të injorohet trajnimi për zanatet dhe zejet apo profesionet".

Gjatë konferencës ambasadori nënvizoi “nevojën për një plan dhe strategji të qartë” për sistemin e trajnimit profesional.

Sipas Hofman, në Shqipëri është e rëndësishme të tërhiqen më shumë investime të huaja dhe të sigurohen të kenë kushte të mira pune.

Që Shqipëria të ketë një ekonomi suksesi si ajo e Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës duhet të ngrejë një sistem efektiv profesional me një plan dhe strategji të qartë.

"Keni nevojë për një plan dhe strategji të qartë. Nuk duhet të rishpiket modeli që ka vite të tëra që ekziston. Janë shumë çështje që duhet të qartësohen”, nënvizoi ambasadori gjerman.

Madje renditi 4 pikat kryesore, të cilat duhen zbatuar nëse duam të kemi një sistem të suksesshëm të trajnimit profesional:

-Duhet të ketë një drejtim të mirëinformuar nga qeveria.

-Koordinim të vazhdueshëm mes qeverisë dhe donatorëve.

-Bashkëpunim të vazhueshëm dhe të qëndrushmë me sektorin privat.

-Mbi të gjitha vazhdimësi.

“Nëse plotësohen të gjitha këto kërkesa do ndërtohet një sistem efektiv profesional në Shqipëri”, nënvizoi ambasadori i një shteti të sukseshëm siç është Gjermania.

SHKARKO APP