Horoskopi i ekonomisë për 2019
Shëndet dhe para, janë dy të mirat që shqiptarët urojnë më së shumti për njëri-tjetrin për vitin që po vjen. Por teksa i pari është një urim që varet edhe nga “ai lart”, niveli i të ardhurave është më lehtësisht i llogaritshëm.
Ekonomistët Dritan Shano dhe Ornela Liperi, ndajnë thuajse të njëjtin qëndrim sa i takon bilancit ekonomik për vitin 2018, se rritja ekonomike është vetëm aritmetike dhe e papërfillshme në buxhetet familjare, jo më kot, thotë Shano, shqiptarët largohen nga vendi.
2019-ën, Shano e parashikon si një vit që do të jetë i ngadaltë për ekonominë shqiptare ndërsa shton se familjet shqiptare nuk do të përjetojnë ndonjë rilindje. “Viti 2019 do jetë një vit i ngadaltë për ekonominë shqiptare. Nuk pritet ndonjë përmirësim i saj, ndërsa dy investimet e mëdha që kanë udhëhequr rritjen ekonomike aritmetike të Shqipërisë – TAP dhe Devoll – në këto vite pritet të ngadalësohen”, thekson Shano.
Për Ornela Liperin, paketa fiskale e miratuar nga mazhoranca për 2019-ën, nuk ishte veçse një pranim i politikave të dështuara, sipas saj, që u ndoqën përmes rritjes së taksave, që jo vetëm nuk sollën më shumë të ardhura në buxhet, por nxitën dhe evazionin fiskal.
”Një problem që sa po vjen e po bëhet më madhor dhe ka filluar të japë efekte të dukshme tashmë është ai i emigracionit të gjallëruar vitet e fundit. Bizneset kanë raportuar probleme me gjetjen e fuqisë punëtore, ndërkohë që konsumi është në rënie. E kombinuar kjo me një ngadalësim të pritshëm të ekonomisë për shkak të mbarimit të investimeve të mëdha dhe kthimit në normalitet të prodhimit të energjisë, 2019-a nuk pritet të sjellë lajme të mira për buxhetin e familjeve shqiptare, që rrezikohet të përballen me më pak punë dhe më pak të ardhura”, parashikon Liperi. /Politiko.al/
KOHA JONË SONDAZH

