Hoxha: Krimi gjallërohet gjatë fushatës, Elbasani rasti më flagrant
Gazetari i njohur Poli Hoxha ishte i ftuar në Ora News për të komentuar ngjarjet e fundit kriminale që kanë tronditur vendin.
Teksa u ndal te Shkodra, një qytet me kriminalitet të lartë, Hoxha u shpreh se ngjarjet kriminale në kryeqendrën e Veriut të vendit nuk përbëjnë më surprizë.
“Shkodra, njësoj si Elbasani, ka ngelur një vatër e hapur e cila asnjëherë nuk është mbyllur dot, as nga policia, as nga prokuroria dhe normalisht është një nga qytetet që shenjon vrasje të shumta dhe njëkohësisht vrasje të paralajmëruara. Konflikte që vazhdojnë të mbeten të hapura mes organizatave që kontrollojnë këtë qytet dhe veprimtarinë kriminale që ka filluar me gjobëvënie, me trafikun e drogës me Malin e Zi, qoftë edhe konflikte të transportuara jashtë Shqipërisë, po me trafikun e drogës.
Policia disa here ka tentuar, ju i mbani mend zhvillimet në kohën e Fatmir Xhafaj që me ndryshimin e drejtorit të Policisë Vendore etj etj por asnjëherë nuk është goditur në kokë dhe Shkodra nuk përbën asnjëherë surprizë kur ndodhin këto ngjarje pasi personat dhe grupet që janë të identifikuara vazhdojnë të kryejnë “bizneset” e tyre dhe të jenë të lirë”, tha ndër të tjera Hoxha.
I pyetur për lidhjen e krimit me politikën dhe fushatën elektorale, Poli Hoxha u shpreh se gjatë kësaj kohe elementët kriminalë gjallërohen.
“Nga eksperienca ime e gjatë në gazetari dhe si ndjekës i mirë i kronikës, pikërisht në prag të fushatave apo gjatë fushatës fillon dhe gjallërohet krimi dhe duke dalë më hapur në fushatë fillojnë edhe përplasjet. Dhe e gjithë kjo se edhe vetë Policia e Shtetit e ul në një farë mënyre kontrollin e territorit. E ul sepse këta, të gjithë eksponentët e krimit, kur dalin në fushatë nuk dalin me dëshirën e tyre por janë të ndërlidhur me politikën, të ndërlidhur me kandidatët dhe kjo tregon edhe një farë mbrojtje që më pas përcillet edhe te Policia ose një tolerim. Duke bërë që të dalin hapur në fushatë por edhe duke punuar për fushatë për x kandidat. Në këtë periudhë kemi pasur shumë ngjarje por më shumë daljen e tyre haptazi për të bërë shantazhe për votën ose për kandidatë. E pamë në Elbasan, në mënyrë shumë flagrante. E thashë edhe në një shkrim timin që, ishte ëndërr për policinë dhe prokurorinë ti kishte të gjithë bashkë, në një vend, në mes të ditës, në mes të qytetit”