Hoxha: Rama luan “hapi sa më shumë telashe kundërshtarit”, do t’i minimizojë sa më shumë fitoren e tyre
I ftuar në Ora News, analisti Artan Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit të reformës zgjedhore.
Kryeministri Rama përgjatë këtyre muajve duket se ka pasur ndryshime në qëndrimet e tij ku më parë është shprehur kundër listave të hapura e tashmë duket se i ka pranuar.
Mbrëmjen e sotme ai zhvilloi një takim përreth 60 minuta me përfaqësues të opozitës parlamentare ku në emër të PS, Taulant Balla, firmosi me ta marrëveshjen politike për të votuar 5 qershorin.
Por Myslim Murrizi deklaroi se nuk ka hedhur firmë për votimin e marrëveshjes së 5 qershorit, duke deklaruar se deputetët e Grupit Demokrat nuk do të japin votën për të.
Analisti Artan Hoxha shprehet se këto janë lojra të kryeministrit Rama për t’i hapur sa më shumë telashe kundërshtarit. Ai thotë se do që të minimizojë sa më shumë fitoren e kundërshtarit në zgjedhjet e ardhshme.
Hoxha: Rama luan me atë që mund të quhet “hapi telashe sa më shumë kundërshtarit”. Kjo është taktika e tij. Qoftë nëse kundërshtari është i garantuar se do të fitojë në të gjitha rrethanat, fitorja e tij do të jetë e ngushtë. Nuk bëhet fjalë që ai po luan me këtë taktikë për të fituar. Të gjitha të dhënat tregojnë se Rilindja po shkon drejt një humbje të qartë bindëse. Bëhet fjalë që këtë humbje ata duan ta minimizojnë sa më shumë. Mund të rrezikojnë që të jenë dhe në një minorancë pra mazhoranca e re të ketë më shumë se 84 deputetë. Del komplet jashtë loje dhe gjithë kjo ngrehinë antikushtetuese po rritet nga ky parlament inekzistent. Duhet të zhbëhet. Gjithçka po bëhet për të minimizuar sa më shumë fitoren e kundërshtarit. Sistemi aktual zgjedhor me këto koalicione e njohim prej vitesh. Mund ta analizojmë shumë mirë efektet që ka ndryshimi një skeme të lojës.
Nga njëra anë kjo duket aq banale dhe aq e qartë në mungesën e argumenteve të veta saqë duket që është një lojë e një të dëshpëruarit. Vetëm pak muaj më parë si Rama ashtu dhe Gjiknuri shpreheshin hapur ndaj hapjes së listave. Edhe argumente kundra listave të hapura që sipas tyre nuk sjellin demokraci në Shqipëri. Si ka mundësi që tani kanë rënë në dashuri me listat? Kaq shpejt u ndriçuan nga Rudina Hajdari apo nga ndonjë tjetër në Parlament.