HRW: Liria e medias në Ballkan është rrezik

Gazetarët në Ballkanin Perëndimor janë të detyruar të punojnë në një mjedis armiqësor, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në aftësinë e tyre për të zhvilluar një gazetari kritike dhe të pavarur, pjesë thelbësore kjo e një shoqërie demokratike, tha "Human Rights Watch" në një raport të publikuar sot.

Autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të krijuar një mjedis të sigurtë për veprimtarinë e mediave dhe t’i japin fund mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve, theksohet në raport.

Raporti prej 69 ­faqesh “Një Profesion i Vështirë: Liria e Medias Nën Sulm”, dokumenton sulme fizike dhe kërcënime, duke përfshirë edhe kërcënime për vdekje, ndëshkime në formën e paditjeve në gjykatë dhe fushata përgojuese kundër gazetarëve në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi dhe Serbi. Raporti bazohet në intervista me 86 gazetarë, të cilët raportojnë mbi çështje delikate si krimet e luftës dhe korrupsioni, nga të katër vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Human Rights Watch" dokumentoi edhe disa raste sulmesh nëpërmjet Internetit kundër mediave online që kanë mbajtur pozicione kritike ndaj qeverive. Asnjë nga vendet nuk janë duke i hetuar apo kaluar në proces penal sulmet kundër gazetarëve në fjalë, theksohet, pos tjerash, në raportin e publikuar sot të organizatës, "Human Rights Watch". 

SHKARKO APP