“Humba burrin në aksident, provat u manipuluan”, pas apelit të gruas, dalin pamjet, çfarë ndodhi 10 vjet më parë

Ata jetojnë në kushte ekstreme varfërie, humbja e njeriut të zemrës e ka lënë nënën   35-vjeçare  me dy fëmijët e saj në kushte të vështira social-ekonomike. Gjendur në mes të katër rrugëve gruaja ka ardhur në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24 për të rrëfyer dhimbjen e saj.

Në prill të 2009 bashkëshorti i saj humbi jetën pas një aksidenti të rëndë, i cili  ndodhi pranë Institutit në Kamzë. Një makinë e përplasi në rrugë dhe burri nuk arriti të mbijetonte, la pas gruan dhe dy fëmijët. Gruaja rrëfen se familjarët, kunetërit u takuan me familjarët e personit që bëri aksidentin dhe ranë dakord që ai do të ndihmonte familje. Ndërsa në anën tjetër çështja e aksidentit sipas gruas u mbyll në Shkallën e Parë por u rihap sërish në Apel, aktualisht gruaja thotë se situata do gjykohet në Gjykatën e Lartë.

Personi i cili bëri aksidentin ka arritur të përfitojë azil jashtë Shqipërisë. 35-vjeçarja thotë se ai ka përdorur pikërisht këtë ngjarje për t’u larguar jashtë vendit me pretekstin se është nga gjak. Gruaja bën apel për ndihmë dhe drejtësi.

“Isha shtatzënë kur im shoq u nda nga jeta. Ai iku pa e parë vajzën. Kur ai ishte gjallë jetonim mirë. Personi që më vrau bashkëshortin kam dëgjuar se ka ikur në azil.

Kur bashkëshorti im ishte gjallë ne jetonim normalisht. Kanë kaluar 10 vjet dhe unë ende sot e kësaj dite nuk e kam marrë veten. Hallet janë por koha më ka bërë të mbijetoj. E vemja mundësi që kam për të mbijetuar është shitja e kokoshkave. Unë dal në rrugë dhe shes për të mbijetuar. Jam këtu për të thënë që procesi gjyqësor ishte abuziv, dolën dëshmitarë të rremë si dhe aksidenti është raportuar që është bërë në krahun e majtë dhe se ka qenë errësirë. Mendoj se është manipuluar çdo gjë. Kemi kaluar shumë stres, vajza kërkon të atin. Më iku burri por veç kësaj dhimbjeje, jam me fëmijët tani në kushte të vështira, askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë gjë. Nuk jam përballur me prokurorin edhe pse kanë kaluar  vite jam penduar që s’i kam shkuar kësaj situate deri në fund”, u shpreh nëna e dy fëmijëve.

Ajo kërkon zbardhjen e aksidentit dhe vënien e drejtësisë për bashkëshortin e saj.

“E them këtë sepse aksidente mund t’i ndodhin kujtdo dhe jam e bindur që ai s’ka dashur ta vrasë. Asnjë që është në timon nuk do që të bëjë aksident, megjithatë nuk i ka dhënë ndihmën e parë por është larguar.

Ndërsa prokurori i çështjes nuk e ka analizuar siç duhet çështjen. Ai vdiq por duhet zbardhur historia siç duhet  për fëmijët. Thonë që ai ka vdekur menjëherë. Nuk jetoj më aty, pas tre muajve vendosa të largohem sepse vendi më kujtonte aksidentin, por aty shkoj çdo vit. Kur më lindi djali ai person ka futur njerëz për tu takuar,  por nuk  kam pranuar. Unë kam qenë në gjendje shoku dhe s’kam pyetur për emrin e tij. Ai është dorëzuar vetë por nuk ka qëndruar në burg sepse ka pasur persona të njohur aty”, rrëfeu ajo.

Më pas në emision u shfaqën pamjet e siguruara nga News24 të aksidentit që ndodhi 10 vjet më parë. Rrëfimi i gruas është i drejtë, pasi ngjarja nuk ka ndodhur në mbrëmje ashtu siç është akti i prokurorisë. Nga pamjet dallohet kalimi i rrugës dhe që zonja ka deklaruar të vërtetën, ndërsa në ekspertizë nuk është thënë ajo që del nga pamjet filmike.

“Sipas jush çfarë tregojnë këto pamje? Ju falënderoj sepse keni vërtetuar çfarë kam thënë. Nuk jam marrë deri më sot por ia kam besuar gjykatave. Kur u bë aksidenti ai e dinte që gjendja ka qenë e acaruar dhe për t’i shpëtuar përgjegjësisë kanë kërkuar të vijnë për kafe. Ai nuk është kërcënuar asnjëherë nga ne, nga kunetërit e mi. Ai deshi të ndihmojë fëmijët por nuk erdhi më kurrë, u zhduk. Ai erdhi vetëm në fillim për kafe pas lindjes së vajzës tre muaj pas ngjarjes. Ata kanë ardhur për kafe por nuk kanë qëndruar gjatë. Ai person nuk është thirrur kurrë në gjykatë. Unë vij sot këtu t’i bëj apel drejtësisë.

Deri në momentin që është zhdukur dhe ka lënë një familje s’kam si i bëj një apel dhe siguroj që ai nuk është kërcënuar asnjëherë nga ne edhe pse ka përfituar azil”, deklaroi gruaja.

SHKARKO APP