Humbën jetën nën rrënoja, ish-ministri flet për familjen Reçi: Me Edin njiheshim që në shkollë
Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, deputeti socialist Arben Ahmetaj ka rrëfyer sot në “Real Story” në News24 njohjen e tij me familjen Reçi, katër anëtarët e së cilës humbën jetën tragjikisht nën rrënojat e banesës së tyre në Durrës.
Eduardi, Dolora, Kristi dhe Klaus gjetën vdekjen mëngjesin e 26 nëntorit pasi pallati 6-katësh ku jetonin u shemb nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4.
Ahmetaj rrëferu se me kryefamiljarin, Eduardin njihej që në shkollë dhe kishin punuar bashkë edhe në vitet 97-98 dhe miqësia e tyre ka vijuar ndër vite. Ai e cilësoi humbjen e kësaj familjeje por edhe dhjetëra njerëzve të tjerë një humbje të madhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
“Me të ndjerin Eduard, Eduardin njihemi që në shkollë. Kemi punuar në ‘97-‘98 në Ministrin e Financave dhe Tatimeve dhe kemi pasur miqësi të vazhdueshme ndër vite. Humbje e madhe për familjet e tyre, shumë e madhe për gjithë psikologjinë shoqërore që rëndohet nga humbje njerëzish nga fatkeqësi natyrore që edhe në aspektin shkencor nuk mund të parashikohet”, deklaroi Ahmetaj.
Më tej ai foli për situatën që po kalon vendi, duke vënë theksin tek ringritja. Ahmetaj tha se është një traumë shumë e rëndë shoqërore dhe është e rëndësishme kontributi i të gjithë aktorëve.
“Janë elementë që kanë të bëjnë me emergjencën dhe post emergjencën për të shkuar pastaj tek rindërtimi. Ajo që dua të theksoj është përgjigjja e gjithë aktorëve të shoqërisë. E para është qeveria me një grup 24 orë i drejtuar nga ministri Çuçi.
Ne fondet do t’i vendosim për rindërtimin. Ajo që bën kryeministri apo që tentojmë të bëjmë të gjithë ne, në korsitë e tyre, jo vetëm qeveria, parlamenti, aktorë të shoqërisë civile, këtu bëhet fjalë për ringritje. Emergjencë, ringritje, rindërtim. Ringritja është edhe ringritje për shoqërinë sepse kanë humbur jetë njerëzish, janë lënduar qytetarë, janë dëmtuar banesa. Është një traumë shumë e rëndë shoqërore. Tek ringritja nuk është vetëm një njeri, një entitet. Patjetër që qeveria ka detyrën por ka nevojë edhe për kontribut nga të gjithë aktorët për ta ringritur shoqërinë”, deklaroi Ahmetaj.