Humbësit në PS kërkuan pamjet filmike, Balla: Pa merak, transparencën e bën KQZ
Drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla, tha se ankimimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bëhen vetëm nga partitë politike, duke komentuar kështu kërkesat e depozituara nga kandidatë për deputetë të PS-së, të cilët pasi nuk fituan një mandat, kërkuan pamjet filmike.
”Secili ka të drejtë për të kërkuar, për të bërë transparencë, por falë parashikimeve të vendosura në Kodin Zgjedhor, por është KQZ që do të bëjë transparencë të këtij procesi. Të gjitha palët që kanë pretendime, ka një mënyrë sesi bëhen këto. Kodi zgjedhor parashikon që partitë politike mund të bëjnë ankesë. Transparencën, më mirë se sa e ka bërë KQZ, nuk e bën dot askush”, tha Balla.
Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia kanë bërë hapa pas, pasi kanë tërhequr kërkesën e tyre për të marrë pamjet filmike nga KQZ për numërimin e votave. Por kandidatja Blerina Gjylameti nuk ka hequr dorë nga beteja e saj dhe ka marrë në dorë pamjet filmike të procesit të numërimit.
Kryetari i PS-së, Edi Rama ka kërkuar që kandidatët humbës të tërhiqen nga një kërkesë e tillë, pasi do të kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit e PS-së që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. Të tre kandidatët e mësipërm, Etilda Gjonaj, Xhemal Qefalia dhe Blerina Gjylameti, nuk e morën dot postin e deputetit edhe pse me vota të konsiderueshme.
KOHA JONË SONDAZH

