Humbi bashkëshorten, Fatmir Gjana kujton ç’ndodhi më 26 nëntor
Mëngjesi i 26 nëntorit do t’i ndryshonte jetën familjes Gjana në Durrës.
Lëkundjet e fuqishme sizmike shkatërruan pallatin 6-katësh në Durrës, nga ku kryefamiljari Fatmir Gjana mundi të dalë i gjallë nga rrënojat, e ndërsa bashkëshortja e tij, fatkeqësisht jo!
Ditën e sotme, teksa kryeministri i vendit, Edi Rama ndodhet për vizitë në familjen e tij, Gjana risjell në kujtesë momentet e tmerrit.
Burri, i cili qëndroi nën rrënojat e pallatit për 24 orë tregon se nuk arrinte dot të lëvizte këmbët.
“Ekipet e kërkim-shpëtimit janë heronj. Personi që më shpëtoi jetën ishte një hero. Nuk lëvizja dot, kërkova pak hapësirë për të marrë ajër. Mua më kapi tërmeti te kuadrati i derës. Zhurma e tërmetit ishte e tmerrshme. u tundën katet e para. Kur dola nga rrënojat pyetja e parë që bëra ishte: po gruaja ime ku është? Unë ndodhesha në një pozicion shumë të keq, mezi më nxorën. Drita e ekipit të kërkim- shpëtimit m’u duk jetë.”