Humbi në Himarë, Gjikuria: U përdorën metoda antidemokratike! Duan një kryebashkiak në shërbim të Ramës
Pas humbjes në zgjedhjet lokale të së dielës në Himarë, kandidati i opozitës Petro Gjikuria falenderon votuesit, por nuk lë pa hedhur akuza ndaj pushtetit. ”Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë”,-shkruan Gjikuria.
Për të në këto zgjedhje të parakohshme janë përdorur metoda anti demokratike në mënyrë që të tjetëroshej vota në favor të Vangjel Tavos. “Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij”.
Ai shton se beteja për Himarën do të vazhdoj. “Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”.