Humbi zgjedhjet, partia e Gjukanoviçit organizon tubim në Podgoricë: Mali i Zi mbi të gjitha
Partia Demokratike e Socialistëve, udhëheqësi i së cilës është presidenti Milo Gjukanoviç ka ftuar të gjithë mbështetësit në një tubim. Bëhet fjalë për datën 6 shtator, ndërsa si vend është caktuar Sheshi i Pavarësisë në Podgoricë. Lajmi është bërë i ditur nga kjo parti në rrjetet sociale. “Nuk ka justifikime”, “Le të tregojmë se jemi shumë prej nesh” dhe “Mali i Zi mbi të gjitha”, thuhet në njoftim.
Ndonëse për shkak të rregullave për t;u mbrojtur nga COVID-19, grumbullimi i njerëzve nuk lejohet, pa respektuar protokollin. Në rastin e këtij tubimi, për 100 persona në hapësira të hapura publike, duhet me patjetër që të respektohet distanca fizike prej të paktën dy metra midis personave.
Bazuar në 98.55 për qind të mostrës së përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi pohoi se Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviç, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” 32.54 për qind të votave.
Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E bardha në të zezë” më 5.57 për qind, Socialdemokratët më 4.09 për qind, Partia e Boshnjakëve më 3.81 për qind, Partia Social-Demokrate më 3.14 për qind, Lista Shqiptare më 1.61 për qind dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” më 1.16 për qind.