Hyjnë për të vjedhur në një banesë, grabitësit dhunojnë burrë e grua. Policia ngre pika kontrolli, disa të shoqëruar
Një ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Lezhë, ku persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e një 61-vjeçar për të grabitur.
Burime bëjnë të ditur se hajdutët janë futur në banesën e shtetasit me iniciale Gj.D. Gjatë grabitjes, agresorët kanë dhunuar edhe të zotin e shtëpise dhe gruan e tij.
Sipas policisë, autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe dy telefona celular.
“Më datë 24.05.2021, pas mesnatës, në fshatin Spiten, Lezhë, jemi njoftuar nga shtetasi Gj.D., se dy persona të paidentifikuar kanë vjedhur në banesën e tij duke i dhunuar atë dhe bashkëshorten shtetasen V.D.,47 vjeçe, një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë. Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve. Gjithashtu, janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen”, thuhet ne njoftimin e policise.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.