Hyn në fuqi paketa e ndihmës financiare, ja sa dhe kush përfiton prej saj
Ka hyrë në fuqi paketa e ndihmës ekonomike që ka miratuar qeveria për ti ardhur në ndihmë atyre që kanë ndërprerë punën për shkak të situatës me koronavirusin. Rreth 60 mijë persona do përfitojnë pagë 260 mijë lekë, ndërsa janë dyfishuar edhe pagesat e papunësisë dhe ndihma ekonomike. Nga prilli ka hyrë në fuqi edhe vendimi për indeksimin e pensioneve.
Ka nisur të mërkurën zbatimi i paketës financiare që do ti vijë në ndihmë bizneseve të vogla dhe grupeve vunerabël për të përballuar pasojat ekonomike që po shkakton situata e pandemisë së koronavirusit.
Paketa ekonomike do ketë një zgjatje kohore prej tre muajsh dhe prej saj do të përfitojnë së pari të gjithë të vetëpunësuarit dhe punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri në 14 mln lekë dhe që kanë ndërprerë aktivitetin pas urdhrit të qeverisë.
Ata do të paguhen me pagën minimale prej 26 mijë lekë në muaj.
Për rastet kur individi është i vetëpunësuar, do të përfitojë pagesë minimale edhe një nga punonjësit e padeklaruar.Nga kjo kategrori pritet të përfitojnë rreth 60 000 të punësuar.
Ndërkohë që për të përfituar pagesën e luftës, aplikimi duhet të bëhet nga kompania apo biznesi, e cila duhet të plotësojë një formular dhe ta paraqesë listën e punonjësve pranë Drejtorisë së Tatimeve. Më pas Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pas një verifikimi 10 ditor do ti paraqesë listën e përfituesve të ndihmës financiare Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe më pas do të bëhet pagesa për individët.
Një tjetër kategori që trajtohet nga kjo paketë janë edhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe të cilët gjithashtu do kenë dyfishim të pagesës.
Ndërkohë që duket filluar nga ky muaj rritje do të pësojnë edhe pensionet për afro 650 mijë të moshuar. Në fakt bëhet fjalë për indeksimin e përvitshëm të pensionit që këtë vit është përcaktuar të jetë 2.3 për qind. Nga ky indeksim do të përfitojnë një rritje minimale pensionet e pleqërisë dhe ato të posaçme.
Për të ndihmuar sadopak buxhetin e shtetit për 3 muajt e ardhshëm kryeministri Edi Rama, ministrat e qeverisë dhe deputetët do të marrin 50 % të pagës së tyre për shkak të gjendjes së krijuar nga koronavirusi.
Në këtë vendim përfshihen edhe nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare që do të marrin gjithashtu 50 % të pagës dhe nuk do të përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.
Paga e deputetëve nuk është prekur dhe nuk përmendet në këtë vendim qeverie. Ndërsa më herët presidenti Ilir Meta deklaroi vetë se paga e tij, por edhe e zyrtarëve të Presidencës që janë solidarizuar më emergjencën, do të shkurtohet sipas planit të bërë publik nga qeveria.
/Ora News