Hyrja në Parkun e Tiranës, sot shpallet fituesi i konkursit

­Qeveria shqiptare çeli dje konkursin për Masterplanin e Hyrjes së Parkut të Tiranës. Prezantimi është bërë gjatë ditës së djeshme, ku 11 ekipe me arkitektë, peizazhistë dhe urbanistë kanë shprehur idetë për zhvillimin dhe transformimin e sheshit “Nënë Tereza” dhe pjesës hyrëse në park. Qëllimi i konkursit, i iniciuar nga qeveria, synon të përftojë koncepte inovative për ndërhyrje të karakterit arkitektonik dhe urban për hyrjen e parkut dhe për krijimin e një hapësire të shërbimeve moderne publike. Zhvillimi i kësaj hapësire shihet i lidhur edhe me potencialin e zgjerimit të Universitetit të Tiranës dhe me rivitalizimin e sheshit “Nënë Tereza”, aktualisht me përdorim të kufizuar dhe pa funksion, për ta kthyer në një pol vital të jetës së qytetit. Sot është dita e dytë e konkursit, kur edhe pritet që të bëhet shpallja e fituesit. Në këtë hapësirë pritet të ndërtohen dy struktura të reja, të cilat do të shërbejnë për qendra e shërbimeve publike dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Ekipet pjesëmarrëse në konkurs

• MikeViktorViktor + PRGBr Architektur • Vittorio Grassi + B&L • JDS Architects + Dea studio • Xaveer de Geyter Architects + symbiotica • Marc Joubert • Atenastudio+ Anna Maria Indrio+ Norrřn • UHO + Building building • AZPML LIMITED – Arquitectura Agronomia – AEA Consulting – StudioArch4 • Matthias Bauer • Archea associati + Ergys krisko • Boyut+ Albanian Distributor Association

Konkursi Konkursi për Masterplanin e Hyrjes së Parkut të Tiranës në fokus ka hapësirën e qytetarëve për shërbimet publike, zgjerimin e mjediseve akademike dhe edukative si dhe krijimin e hapësirave social­kulturore për të rinjtë. I pranishëm në hapjen e konkursit ishte dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili tha se falë këtij konkursi, do marrë jetë një hapësirë me potencial të madh në qendër të Tiranës, e cila aktualisht është tërësisht e vdekur. Sipas Ramës, në këtë zonë pritet që të ndërtohet një qendër inovative e shërbimeve publike, qendra e re moderne për Policinë e Shtetit, që do të jetë një hapësirë në dispozicion të Policisë së Shtetit, për të akomoduar strukturat drejtuese të saj, si dhe mundësia e shfrytëzimit të sheshit “Nënë Tereza” nga Universiteti i Tiranës. “Potenciali i zgjerimit të Universitetit të Tiranës, me hapësira të cilat do të jenë në dispozicion të studentëve, por njëkohësisht, në këndvështrimin tonë, do të përbëjnë edhe një vlerë të shtuar për të rejat dhe të rinjtë e qytetit të Tiranës, duke krijuar një pol, ku përmes bashkëpunimit mes Universitetit dhe Bashkisë së Tiranës, të krijohet mundësia që sheshi ‘Nënë Tereza’, që ka një potencial të madh të pashfrytëzuar, të bëhet një pol jete për më shumë sesa orët e ditës”, tha kryeministri Rama. Ndër të tjera ai, kryeministri ka theksuar se ky projekt ka një rëndësi të madhe, pasi i hap rrugë edhe programit të ri transformues për të gjithë Parkun e integruar të Tiranës, pasi synohet lidhja harmonike e hapësirave deri më tani të ndara të Parkut të Liqenit, Kopshtit Botanik, Kopshtit Zoologjik dhe Parkut të Ri Olimpik, që ka filluar të ndërtohet në anën perëndimore të kësaj hapësire. “Konkursi do të zhvillohet në prezencë të një publiku të gjerë me profesionistë dhe përfaqësues të grupeve të interesit. Propozimet e 11 skuadrave do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare, e ndërtuar gjithashtu me personalitete të fushës. Gjatë zhvillimeve të këtij konkursi, publiku ka mundësinë të komunikojë rreth propozimeve me skuadrat konkurruese”, sqarohet në njoftim, ndërkohë që emrat e anëtarëve të jurisë nuk janë bërë publikë.

SHKARKO APP