Hysaj: Shkelje të Kodit Zgjedhor për reklamimet propagandistike të fushatës në Durrës

Sekretarja e marrëdhënieve me publikun e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Jola Hysaj deklaroi sot se “bashkia e Durrësit ka shkelur Kodin Zgjedhor duke mos përcaktuar hapësirat për reklamimin e mjeteve propagandistike të partive politike, siç e kërkon ligji 35 ditë para datës së zgjedhjeve”.

Në një deklaratë për shtyp, Hysaj tha se “koalicioni “Bashkë Fitojmë” me datë 13 prill 2023, dorëzoi pranë bashkisë Durrës, një kërkesë për marrje informacioni “për përcaktimin e zonave të vendosjes së materialeve propagandistike” bazuar në nenin 79, të Kodit zgjedhor. Në përgjigjen e marrë nga bashkia Durrës më 25 prill, pra 12 ditë pasi u bë kërkesa, përcaktohet bulevardi “Dyrrah” në krah të Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” si vend i ekspozimit të materialeve propagandistike”.

Sipas saj, nga ana tjetër materialet propagandistike të kandidates socialiste, kryetares aktuale të bashkisë së Durrësit, janë vendosur në çdo skaj të qytetit.

“Ne kemi denoncuar me datën 1 dhe 2 maj, se në të gjithë qytetin e Durrësit, jo vetëm në vendin e përcaktuar me ligj nga Kodi Zgjedhor, por edhe në zona dhe rrugë kryesore, gjenden 11 materiale propagandistike përkatësisht city lights, të Partisë Socialiste. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk reagoi dhe nuk mori asnjë masë për largimet e këtyre materialeve propagandistike, të cilat edhe sot qëndrojnë të afishuara në të gjithë qytetin”, tha Hysaj.

Ndërkohë sot, bëri të ditur Hysaj, ky Komision ka reaguar me një denoncim, për të vetmin material propagandistik të kandidatit për kryetar bashkie të “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara, në ballinën e qendrës tregtare “Flagship Center” në rrugën Egnatia. “KQZ heq të vetmin material propagandistik të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të kandidatit Igli Cara, i cili nuk përbën asnjë shkelje, ndërkohë që hesht për posterat e Emiriana Sakos që kanë pushtuar qytetin”, tha Hysaj.

Hysaj u shpreh se “kërkojmë nga Komisioni që të jetë i barabartë në monitorimin dhe penalizimet që bën, duke respektuar nenet e vendosura nga vetë ky Komision, mbi përcaktimin e vendosjeve të materialeve propagandistike të kandidatëve për kryetarë bashkie”. “Ngremë shqetësimin tonë, duke shpresuar te ndërhyrja e OSBE-ODHIR, që këto zgjedhje po zhvillohen në kushte të pabarabarta dhe po tentohet që kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të mos trajtohen në përputhje me Kodin Zgjedhor”, theksoi Hysaj.

SHKARKO APP