I akuzuari për trafik droge, padit prokurorin e SPAK
Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Abi Gardën” që akuzohet si porositësi i kontejnerëve me banane, ku një vit me parë u kapën 613 kg kokainë, kallëzon në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, prokurorin e çështjes, Ervin Kondili si dhe oficeren e policisë gjyqësore.
Në këtë padi të dorëzuar nga avokati i tij ligjor, Çekaj pretendon se ka një akt të falsifikuar në lidhje me hyrje-daljet e tij në sistemin TIMS. Në konkluzionet e paraqitura nga ana e prokurorit Kondili paraqitet ky fakt:
“Më datë 28. 02. 2018 është bërë këqyrja e të dhënave të sistemit TIMS për Çekaj dhe ka rezultuar se dalja e fundit e regjistruar është 12. 03. 2015 nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Rinas dhe hyrja e fundit më datë 11. 02. 2018 në Muriqan”.
Dokumentet e tjera shkresore të marra nga OPGJ në Durrës, provojnë se Çekaj ka 50 dalje jashtë vendit dhe jo siç ka pretenduar prokurori në konkluzionet e tij. Në këtë kallëzim janë përfshirë dhe transkriptime të bisedave telefonike mes të pandehurit Çekaj dhe një oficeri policie.
“Në këtë bisedë e cila ka zgjatur dy minuta e gjashtë sekonda është komunikuar nga ana e oficerit të Anti Narkotikut i cili është prezantuar Arbër Çekajt për funksionin e tij dhe e ka pyetur ku ndodhej”. Prokuroria e Krimeve të Rënda, kërkoi 21 vjet burg për Çekajn, ndërsa ai mohon se ka patur dijeni për lëndën narkotike dhe se kontejnerët ku u gjet droga nuk janë në pronësinë e tij. /A2Cnn/