I arrestuar nga SPAK, Fatos Tushe ankimon shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut
Ish- kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, ka ankimuar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave, që e largoi nga detyra e kryetarit të bashkisë.
Në datën 21 dhjetor është caktuar seanca në Gjykatën Kushtetuese ku do shqyrtohet kërkesa për shkarkimin nga detyra e ish-kryebashkiakut të Lushnjës.
Ai kërkon rikthimin në detyrë edhe pse prej muajsh ndodhet në qelitë e paraburgimit i akuzuar për korrupsion.
Tushe u arrestua nga SPAK më 6 korrik për shpërdorim të detyrës me akuzën e abuzimit me fondet publike për një tender që kap vlerën e 24 milionë lekeve.
SPAK i nisi hetimet një vit më parë, nisur nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “Korrupsionit pasiv”, “Shkeljes së barazisë në tendera”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.