I biri dyshohet për vrasje të dyfishtë, burg për Rrok Pepaj: S’kam faj, Danjelin e kanë rrahur

“Arrest me burg” dha Gjykata e Shkodrës për Rrok Pepajn, babain e Danjel Pepajt, autorit të vrasjes së dy të rinjve në Malësinë e Madhe. Ai akuzohet për dhënie të dëshmisë së rreme dhe bashkëpunëtor në kultivimin e kanabisit. Ai ka thënë se nuk ka patur dijeni për parcelën, ndërsa për sa i përket djalit ka shtuar se di vetëm se ai ka pasur një ngatërresë dhe se e kanë rrahur.

“Nuk kam patur dijeni për parcelën sepse në mal kam mbajtur bagëti dhe kam mbledhur boronica. Unë thjeshtë e njoh si zonë pjesën malore por nuk e kam ditur se ku ka parcela. Di faktin që djali im ka patur një ngatërresë dhe se e kanë rrahur. Djalin tim se kam parë prej disa ditësh dhe di vetëm që janë ngatërruar dhe se e kanë rrahur disa persona. Unë nuk kam asnjë faj dhe nuk kam lidhje me këto pune sepse unë jam i sëmurë dhe kam edhe gruan të sëmurë”, tha ai.

Avokati mbrojtës ka kërkuar masë lehtësuese. Pavarësisht kësaj, gjyqtarja Ermira Dedja vendosi të caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Daniel Pepaj, 25 vjeç dyshohet se ka vrarë Klement Pepajt, 21-vjeç dhe Vilson Çutaj, 37-vjeç pas një konflikti për një sasi kanabisi. Kushëriri i tij, Klementi dhe bashkëfshatari tjetër, Vilsoni e akuzonin Danielin se u kishte vjedhur një sasi prej 50 kg kanabis. Ekzekutimi i dy të rinjve Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj ndodhi në parcelën e kanabisit të Danel Pepaj. 25-vjeçari i dyshuar për vrasjen e dyfishtë është ende në kërkim. Mendohet se ai mund të jetë larguar në drejtim të Malit të Zi.

Më herët, Rrok Pepaj ka deklaruar se konflikti i të birit me kushëririn dhe Vilson Çutaj ka nisur për shkak se, djalin e tij e akuzonin se u kishte vjedhur kanabisin. Për këtë arsye, pak ditë para ngjarjes ata e kanë marrë me makinë dhe e kanë rrahur Danielin.

Një nga ngjarjet më të bujshme në vend është vrasja e dy të rinjëve në Malësinë e Madhe nga kushëriri i tyre dhe gjithçka lidhet me parcelat e kanabisit. Tre kushërinjtë u denoncuan të zhdukur që prej datës 3 tetor dhe pas kërkime intesive, të enjten e 8 tetorit u gjetën fatkeqësisht trupat e pajetë të dy prej tyre. Në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, sot mbizotëron zia.

Ajo që vihet re është se ndryshe nga shtëpitë e vitkimave, në atë të Daniel Pepajt, i cili është shpallur në kërkim nga Policia për ekzekutimin e dy të rinjve, mbizotëron heshtja. Në oborrin e saj ndodhet një makinë policie dhe rreth banesës qëndrojnë efektivë blu. Kjo familje tashmë i druhet një hakmarrjeje nga ana e të afërmve të viktimave pasi zakonet e vjetra në Veri të Shqipërisë që vijojnë të zbatohen ende, nuk e falin gjakun.

SHKARKO APP