I dërguari i Macron, optimist për integrimin: Shqipëria brenda tre viteve në BE
Franca, vite më parë bllokuese e Tiranës dhe Shkupit për hapjen e negociatave me BE-në, sot shfaqet entuziaste. I dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trokaz, i tha gazetës greke To Vima se Shqipëria dhe Mali i Zi mund të jenë në BE brenda tre viteve të ardhshme.
“Zgjerimi është një përparësi për Francën dhe unë mendoj për të gjithë BE-në. Është normale që disa shtete të ecin me një ritëm më të shpejtë. Do të thoja se Mali i Zi dhe Shqipëria janë përpara në këtë proces, janë relativisht afër integrimit të plotë. Sipas një vlerësimi optimist, kjo do të ndodhë brenda tre viteve të ardhshme”, tha ai.
“Nevoja për të përshpejtuar integrimin dhe reformat e brendshme në nivel institucional duhet të shkojnë së bashku. Ne jemi 27 anëtarë sot në BE; duhet të llogarisim se si do të funksionojmë kur të jemi 30. Rregullat dhe institucionet duhet të përshtaten”.
Sipas Trokaz, zgjerimi do të duhet të kapërcejë atë që ai e konsideron si një numër “gjembash” lokale, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe mes shteteve të Ballkanit, si bashkëjetesa e vështirë e Serbisë dhe Kosovës.
KOHA JONË SONDAZH

