I dogji lokalin Noizy-t, kushëriri lihet në burg! Kyç gojën në Gjykatë
Eraldo Musteqja, kushëriri i reperit Noizy është lënë në burg këtë të hënë nga Gjykata e Durrësit, pasi i dogji dy herë lokalin dhe një herë banesën këtij të fundit. 26-vjeçari ka bërë rezistencë dhe ka kundërshtuar policët e Durrësit momentin kur u arrestua. Ndaj tij prokuroria e Durrësit ka ngritur dy akuza, atë të shkatërrimit të pronës me zjarr dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik.
Në sallën e gjyqit, 26-vjeçari nuk ka pohuar, as ka mohuar akuzën për zjarrvënie, ndërsa ka deklaruar se ka reaguar pasi policët kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Përveç zjarrit të 29 qershorit, Musteqja dyshohet se është autor dhe i dy zjarrvënieve të tjera, njëra më 11 qershor në të njëjtin lokal i cili u shkrumbua thuajse plotësisht dhe më 10 qershor në derën e shtëpisë së familjes së këngëtarit.
Noizy deklaroi se kushëriri i tij është besimtar ekstremist dhe kundër alkoolit dhe muzikës që luhet në lokal. Për të ky është shkaku i konfliktit mes tyre që çoi në akte ekstreme 26-vjeçarin. Këto mbështeten dhe nga komunikimet mes palëve me mesazhe, ku Musteqja i kërkon të heqë dorë nga droga dhe alkooli, ndërsa i kërkon dhe të shlyejë detyrimin ndaj tij. Një detyrim për të cilin ai nuk ka dhënë shpjegime të tjera deri në këtë fazë të hetimit.