I ftohti apo Covid-19? Ministria mbyll shkollat, por jo kopshtet
Edhe ky dimër i gjen nxënësit me ngrohëse të siguruara nga shtëpia. Disa me xhupa e disa të tjerë duke u munduar të zënë një vend pranë rezistencave që i kanë blerë vetë.
A është vetëm i ftohti arsyeja e mbylljes 3 ditore të shkollave? Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se këtë periudhë ka mungesa të shumta të nxënësve dhe mësuesve, të cilët janë me shenja të gripit ose të konfirmuar pozitiv me Covid-19. Nxënësit tregojnë për frekuentimin aktual në shkolla.
Në dikasterin më të lartë të arsimit mungon informacioni për publikun, por ngrohja për zyrtarët e saj. Edhe më i pabesueshëm bëhet vendimi për mbylljen e shkollave nga i ftohti, kur prej tij përjashtohen fëmijët më të vegjël. Sipas Ministrisë, kopshtet dhe çerdhet që varen nga pushteti lokal, do të vijojnë të jenë të hapura pavarësisht temperaturave të ulëta deri -17 gradë celsius.