I ftuari vonohet për emision: Udhëtim një orë e gjysmë Tiranë-Tiranë
Trafiku i rënduar vijon edhe gjatë orëve të mbrëmjes dhe kjo nuk pengon vetëm aktivitetin e qytetarëve dhe bizneseve, por edhe të televizioneve që detyrohen të shkurtojnë minutazhin e intervistave pasi është shumë e vështirë që të ftuarit të mbërrijnë në kohë. Kështu ndodhi edhe mbrëmjen e sotme në RTV Ora, ku gazetares Beti Njuma iu desh të priste më shumë për të ftuarin e rradhës, homologun Poli Hoxha.
Beti Njuma: Faleminderit që erdhët edhe pse pse me një sagë më vete për shkak të trafikut.
Poli Hoxha: E di çfarë po mendoja duke ardhur këtu, pas një ore e gjysëm udhëtim Tiranë-Tiranë? Nga zona e Astirit deri këtu po mendoja sikur të kishim një makine kohe dhe të sillnim në Tiranën e sotme Dante Alligerin sigurisht që do të hapte një rreth plus ku do fuste Tiranën me trafikun. Një stres, një panik makinash nëpër rrugë, policë që përpëliteshin për ta zgjidhur, betoniere që kalonin në gjithëfarë rrugësh.
Beti Njuma: Stres i paparë, harxhim kohe, harxhim karburanti…
Poli Hoxha: Të gjitha bashkë. Madje sot, kur po lëvizja gjatë ditës, edhe për kalimtarët ishjte bërë e vështirë.
Hoxha, trafikun në Tiranë, e lidh edhe me faktin që jemi në prag të zgjedhjeve dhe asfalti elektoral është shumë i preferuar.
“Pse papritur gjithë ky trafik? Në çdo qoshe janë hapur punimet, në çdo rrugë. Shoferi juaj që më solli këtu tha se kishim një rrugë të shkurtër por sot e hapën. Ka nisur asfalti elektoral”, tha Poli Hoxha.