I implikuan dhe emrin e djalit të tij, pajtuesi i gjaqeve: Si negociova për lirimin e Prengës, iu shkuam në derë 3 familjeve

Nikoll Shullani, misionar i paqes dhe pajtimit të gjaqeve në Shkodër, në një intervistë për Fax News, ka treguar sesi ai është bërë pjesë e negociimit për lirimin e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur rreth një muaj më parë.

Shullani është shprehur se kanë qenë anëtarët e familjes Prenga, ata që Ii kanë shkuar në shtëpi, dhe i kanë folur me emra për familjet që dyshonin se ishin të përfshira në rrëmbimin e 49 vjeçarit.

“Kam shkuar në shumë familje, deri në Milano për pajtim gjaqesh. Kam shkuar në shumë familje shqiptare për ndërmjetësim, pajtim. Familja Prenga ka pasur një fatkeqësi, u kanë rrëmbyer një mashkull edhe ka ardhur Anton Prenga bashkë me Pjetër Prengën dhe me një kushëri të vetin tek shtëpia ime. Unë familjen Prenga i kam miq shtëpie.

Dhe më kanë thënë Nikoll, rrëmbyesit e vëllaut i kemi në Shkodër prandaj duhet me marrë me ne, shkojmë tek ato familje dhe bisedojmë. Unë kam thënë: Matuni mirë se kur ti shkosh atij tjetrit për të tillë problem duhet me qenë 99% i sigurt.

Më thanë që ti i ke patriotë, je prej asaj zone, na kanë thënë se i njeh. I kam thënë Docajt i njoh, jam le e rrit me Docajt, i njoh për familje shumë të mira, janë rritur me halle me probleme. Kemi shkuar tek Lushi, ku u përmendte djali i tij Gentiani.

Jemi takuar të katër bashkë, i kanë kallëzuar se si ka ndodhur puna. I kanë kallëzuar se është përmendur djali jot. I kam thënë Lushit: Në emër të madhit zot, e të njerëzimit e të burrnisë, e të autoritetit të sedrës që kemi si malësor, bisedo me djalin nëse ka dijeni për këtë punë të na ndihmojë…”, thotë Nikoll Shullani.

Ndërkohë që pajtuesi i gjaqeve foli dhe për takimet që pati në familjet Bleta dhe Gështenja.

‘’Ai më ka thënë shprehimisht: Nikollë unë kam 7 muaj që nuk kam folur me djalin. Nuk di ca me të thënë, po munda me u lidhë në telefon do të kallzoj. Të katërt kemi shkuar më pas te familja Bleta, aty skemi gjetur kërkënd. Gjetëm vetëm një gruje. Kemi shkuar më pas te familja Gështenja, që janë me kushërinj me familjet Bleta, hymë brenda, na respektuan, i thashë se pse kishte shkuar Prenga në këtë familje. 

I tregova për bisedat që janë bërë në Britani mes vëllezërve Prenga dhe këtij vlonjatit, dhe iu thashë që është përmendur djali i juaj. Më tha shumë njerëzore: Nëse nipi im është përfshirë në këtë punë, kurrë zoti mos ia bëftë mbarë, Brenda 5 ditësh më tha se do të fliste me meshkujt e familjes së tij dhe do të me kthenin përgjigje. Më ka çuar fjalë Jan Gështenja, dhe e kam takuar, mu shpreh tamam sikur e ka Kanuni i Dukagjinit. Nipi më tha është tu ardh, më tha se këtë punë tashmë e ka marrë shteti në dorë, më tha se nuk e kishte dit se kush e ka vra”, u shpreh më tej Shullani.

Në këtë ngjarje nga ana tjetër është përmendur dhe emri i djalit të Shullanit, që sipas pajtuesit të gjaqeve nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje.

“Mua më vjen shumë keq për fatkeqësinë që i ndodhi familjes Prenga, ndërsa sa i përket asaj që është zënë në gojë dhe djali im, unë nuk e mohoj pa e dit, ama e njoh djalin që kam. Ai e ka njohur familjen Prenga, ka punuar me ta, djalit i kam thënë në telefon që të flasë me familjen Prenga, që të dorëzojnë mallin dhe të lirohej pengu. Unë e mora djalin në telefon për mirë, nuk kam lidhje unë me këtë punë”, deklaroi Shullani.

SHKARKO APP