I kërkuar nga dy shtete për pastrim parash dhe pengmarrje, ekstradohet 45-vjeçari / Emri

Një 45-vjeçar i dënuar në Shqipëri për pastrim të produkteve të veprës penale dhe i shpallur në kërkim dhe nga Greqia për pengmarrje është ekstraduar sot në vendin tonë.

“Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës, Interpol Romës dhe Interpol Athinës, u bë e mundur kapja në Itali, ekstradimi drejt Athinës dhe më pas drejt vendit tonë, i shtetasit Besnik Sadikaj 45 vjeç”.

Shtetasi Besnik Sadikaj është arrestuar nga autoritetet policore italiane, me qëllim ekstradimin drejt  Athinës e më pas drejt Shqipërisë, pasi ka qenë i shpallur në kërkim nga Interpol Athina për pengmarrje dhe nga Interpol Tirana për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në vitin 2014, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet heqje lirie, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi gjatë periudhës 2009-2010, ky shtetas ka hapur disa llogari në banka të nivelit të dytë në Shqipëri, në shuma të konsiderueshme në euro, të ardhura të cilat nuk janë justifikuar me burime të ligjshme.

Gjithashtu, ky shtetas dhe disa shtetas të tjerë janë dënuar në shtetin grek, pasi në bashkëpunim dyshohen për marrjen peng të një shtetaseje greke, në këmbim të shumës 1.800.000 euro.

SHKARKO APP