I mbijetuari nga tragjedia me 45 viktima: Shoferin e zuri gjumi
Lulzim Sulejmani, është ndër të paktët pasagjerë që shpëtoi nga tragjedia e autobusit me shtetas nga Maqedonia e Veriut, që u përplas në autostradë dhe u përfshi nga flakët. Ai thotë se shoferin mund ta ketë zënë gjumi, pasi autobusi u përplas. Ai rrëfen se si bashkë me të fejuarën çanë me çekiç xhamin e autobusit dhe u hodhën për t’u shpëtuar flakëve.
”Shoferin e zuri gjumi. Autobusi ka qenë në flakë, askush nuk ka mundur të dilte jashtë autobusit. Ka pasur ndalesë 100 km para se me mbërrit në kufi të Bullgarisë, kemi bërë një pushim janë ndërruar shoferët.
Unë kam qenë 4 ditë me pushime me të fejuarën, jam nga Presheva. Nga viktimat më i vogli ka qenë nga 2 vjeç. Përveç meje janë hedhur edhe të tjerë nga dritarja. Koha ka qenë me shi. Aty kur i ka rënë bordurës i është çarë goma dhe ka marrë flakë përnjëherë. Shkaku ka qenë se shoferin e zuri gjumi. Për gjysmë ore muzika është ndalur dhe fëmijët nuk bënin më zhurmë.
Unë munda të dilja nga dritarja me të fejuarën. Njëri pas meje e provoi ta thyente me këmbë dritaren, por nuk u thye, unë mora cekiçin dhe e theva. E fejuara ka thyer këmbën, por pa rrezik”, tha ai për Zona Zero.