I ndërpreu fjalën dhe e nxjerr nga vetja, Rama s’i përgjigjet pyetjeve të Zhupës: E humbët mundësinë
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa pati një debat të fortë me kryeministrin Edi Rama në Komisionin Hetimor të Incerenatorëve. Fillimisht Rama nisi t’i përgjigjej pyetjeve të Zhupës, por pasi kjo e fundit i ndërpreu në një moment fjalën, kryeministri tha se nuk do t’i përgjigjet më. Pjesë e debatit u përfshi edhe Jorida Tabaku.
Pjesë nga debati
Rama: Zonja Zhupa e humbët mundësinë të keni nderin që unë t’ju përgjigjem. Ju do bëni me siguri karrierë në partinë ku jeni sepse nuk keni asnjë lidhje me turpin kur formuloni pyetjet tuaja.
Tabaku: Nuk më duket normale t’i flisni kështu një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk më duket normale.
Rama: Mua jo s’më duket normale, por më duket e neveritshme që mbas gjithë kësaj maratone dhe debateve që bëmë bashkë, dhe ju jeni këtu kryetare komisioni, të çohet tani ën fund fare dhe bën recitim sikur është në botë tjetër, ngre gishtin, bën akuza penale, kjo është të kesh shkulur spinën me turpin e të recitosh sipas programit që ke. Mendoj se do bësh karrierë në partinë që ke, nën shembullin e kryetarit vulëhumbur. Me këtë kryetar do bësh karrierë, sepse është e turpshme.
Tabaku: Turp për mua që dëgjoj këto ofendime ndaj një deputeteje.
Rama: Pikërisht se është vajzë duhet të jetë më e kujdesshme, nuk mund të ngre gishtin të akuzojë në këtë mënyrë. T’u përgjigja disa herë të thash nuk komunikoj, pro e ndryshova përgjigjen kur thatë tjetër akuzë pa pikë turpi. Ore ku jeni këtu ju?