I ngarkuari me punë i SHBA-së takohet me Nikollën: Një Parlament funksional, thelbësor për integrimin euroatlantik

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u takua këtë të hënë me të ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, David Wisner. Gjatë takimit u diskutua mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe thellimin e reformave.

Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e Reformës në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Ambasada e SHBA-ve reagoi për takimin e Wisner me Lindita Nikollën, duke vënë në dukje se diskutimet kryesore ishin bërë rreth kthimit në normalitet të Kuvendit, ku prej muajsh Rithemelimi shkakton kaos duke mos lejuar diskutimet dhe debatet mbi projektligje shumë të rëndësishme.

“I Ngarkuari me Punë David Wisner u takua sot me Kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla për të theksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e saj në zbatimin e ligjit dhe kundër korrupsionit, teksa vendi ecën përpara drejt integrimit Euroatlantik. Një parlament plotësisht funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive për njerëzit është thelbësor për përmbushjen e këtyre synimeve”,-thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.

SHKARKO APP