I penduari rrëfen si u thur plani për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia
I penduari i drejtësisë, Klevis Alla, i dyshuar nga SPAK si i përfshirë në ekzekutimin e vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, në prill të vitit të kaluar në Durrës, ka rrëfyer sesi u thur plani. Alla ka treguar se në mars-prill të vitit 2020 ishte telefonuar nga Nuredin Dumani për të shkuar tek shtëpia e tij. Atje kishte gjetur dy persona të tjerë të moshës 35-vjeçare, për të cilët Nuredini e kishte marrë veçmas dhe i ka thënë: “Merri këta të dy se janë shokët e mi. Bëj xhiro rreth shtëpisë së Besmir Haxhisë dhe mos fol fare me ta”.
Nuredini i ka thënë Klevisit se këta dy çunat do e bënin punën, të paguanin që të mos ngatërroheshin ata. Klevisi ka rënë dakord t’i shoqëronte dy djemtë rreth shtëpisë së Besmir Haxhisë, kanë hipur në makinën Golf 5 të Klevis Allës, ku ai ishte shofer. Sipas rrëfimit të Allës, ata kanë ndjekur rrugën nga shtëpia e Nuredinit, tek Nishtulla, Shkozet, ish-Këneta, pa shkuar te rajoni i Policisë Durrës, kanë ndaluar tek një karburant tek kryqëzimi, ku janë furnizuar me naftë dhe nga karburanti kanë marrë rrugën për nga spitali i Durrësit dhe kanë shkuar në Spitallë.
Janë futur në Spitallë, kanë shkuar në lagjen e vëllezërve Haxhia dhe kanë kaluar bri shtëpisë së tyre. Aty, Klevisi u ka treguar dy djemve që kishte në makinë shtëpinë e Besmir Haxhisë. Më pas, kanë bërë një xhiro në rrugën e lagjes së tyre afër shtëpisë me makinë, por pa ndaluar, duke parë me vëmendje vendin se si ishte, sa kamera kishte dhe si mundej të lëvizej pasi të kryhej vrasja e Besmir Haxhisë.
“Vrasja mund të bëhet”
Pasi kanë mbaruar xhiron tek banesa e vëllezërve Haxhia, janë kthyer tek shtëpia e Nuredinit Dumanit, kanë zbritur dhe në praninë e Klevisit dy djemtë folën me Nuredinin dhe i thanë se “vrasja bëhet, vendi ishte i mirë dhe u mungonte vetëm shoferi që do të ishte në makinë me autorët”. Dy djemtë i thanë Nuredin Dumanit se donin shofer Klevisin sepse u pëlqeu se si kishte ecur me makinë. Pasi ikën dy djemtë, Klevisi kishte mësuar se bjondi quhej Besi ose Besiar Xhixha. Pasi ikën dy djemtë, në bisedë me Nuredin Dumanin ka mësuar se ata do të paguheshin për vrasjen e Besmirit.
Lidhur me dy djemtë që kishte pajtuar, Nuredimi i ka thënë se ata ishin nga Fushë-Kruja. Dy ditë pas takimit me ta, Nuredini i kishte thënë të bënte testin COVID, pasi njëri prej tyre kishte dalë pozitiv. Alla ka rrëfyer edhe një takim pranë Fushë-Krujës mes tij, Nuredinit dhe Besjan Xhixhës.
Sipas Klevis Allës, gjatë kësaj dreke ku ishin Klevisi, Besjani dhe Nuredini është përmendur edhe emri i Enverit, për të cilin është thënë nga Besjani, “ishalla i ikën corona (Covid 19) shpejt Verit”. Gjatë drekës është thënë nga Nuredini që ishalla e mbarojmë këtë punë sa më shpejt se nuk presin më çunat, por pa përmendur emra se cilët çuna. Nga Nuredini, Klevisi ka mësuar se ai u kishte dhënë shumën prej 5000 (pesë mijë) Euro kapar për vrasjen e vëllezërve. Duke qënë se Veri ishte sëmurë me Covid-19, dy djemtë e pajtuar nga Nuredini, nuk e bënin dot vrasjen e Besmirit dhe u vendos që vrasjen ta bënte grupi i Nuredin Dumanit, Talo Çelës, Altin Ndocit dhe Klevis Allës.
Marrë nga /A2cnn/