I preku kokën nënës, 44-vjeçari me kartelë do vriste vajzën për telefonin. Fans i Dua Lipës dhe shfaqej si besimtar

Nga: Redjon Shtylla

Ngjarjet horror nuk kanë të sosur. Makabër është vrasja në fshatin Buçimas në Pogradec, ku mbrëmjen e së enjtes, djali 44-vjeçar i preu kokën nënës, 70-vjeç dhe e vari tek dera e shtëpisë. Olsi Çekiçi ka dashur të vrasë vajzën e tij për shkak të një telefoni, por ka ndërhyrë e moshuara për të mbrojtur mbesën e mitur, vetëm 15-vjeç. Ky ka qenë shkaku i konflikti që fillimisht nisi verbalisht dhe përfundoi me masakrimin e 70-vjeçares Firdes Çekiçi. Një i afërm i viktimës, shprehet se ngjarja nisi për një telefon, ku 44-vjeçari e ka parë në dorën e vajzës së tij dhe ka tentuar ta vrasë. Nëna është futur për të mbrojtur mbesën dhe e pësoi ajo.

“Shkaku është bërë një telefon që ka gjetur, një telefon të çupës. Për ta mbrojtur gjyshja doli para dhe e pësoi ajo. E ëma ka qenë një njeri shumë i mirë, për mbrojtje për vajzën, ndodhi kjo që ndodhi. Në shtëpi rrinin ato të katër, nuk kishte njeri tjetër. Për telefonin e vajzës iku një jetë”. Ai ka akuzuar institucionet që e kanë lënë të lirë 44-vjeçarin, i cili vuante nga problemet mendore, ndërsa shton se ai ushtronte dhunë ndaj të ëmës dhe ajo e kishte denoncuar disa herë, për që ishte tërhequr pasi i dhimbsej se e kishte djalë. “Për mendimin tim them çfarë është ai doktor që e lëshoi. Ajo ka barë disa denoncime dhe e tërhoqi, se evlat kush do që t’i rrijë djali në burg. Faji këtu është i institucioneve që nuk kontrollojnë”.

Ai i preku kokën nënës së tij dhe e vari në derë të shtëpisë. 44-vjeçari la të plagosur edhe vëllain e tij. Olsi u arrestua menjëherë nga policia dhe u gjet i përlyer në gjak. Në dëshminë e tij në polici, 44-vjeçari është shfaqur i qetë dhe i pa penduar për vrasjen e nënës së tij, pasi sipas tij kjo do të ndodhte një ditë. “Nuk pendohem. Kjo do të ndodhte një ditë. Amanet vajzën dhe vëllanë”. 44-vjeçari është person me precedent penal, pasi ka qenë më parë i arrestuar në Greqi, Belgjikë e Itali për drogë dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Zaharisë në vend. Olsi ka qenë i martuar më parë, martesë nga e cila kishte 2 vajza. Autori ishte problematik edhe në fshatin Buçimas, ku fqinjët shprehen se kishin frikë të dilnin, pasi trembeshin nga ai.

Olsi është shumë aktiv edhe në rrjetet sociale. Në facebook, ai bënte postime të njëpasnjëshme, ku shfaqet edhe si besimtar dhe falënderon Allahun por edhe jep mesazhin se beson në dashuri. 44-vjeçari na ka treguar se është një fans i këngëtares së njohur Dua Lipa, pasi më 30 qershor të këtij viti ka publikuar disa foto të saj. Ajo që vihet re tjetër është nuk kanë munguar as komentet nga të afërmit dhe miqtë e tij, në fotot dhe postimet që bënte 44-vjeçari.

Sami Shyti, fqinj me familjen Çekiçi thotë se vajza e autorit të krimit makabër shkoi me biçikletë në komisariat. “Fola me vajzën e viktimës pas ngjarjes. Ajo kishte qenë tek komshia ngjitur dhe kishte lënë në shtëpi babain me gjyshen. Kishte dalë nga fqinja se e lajmëruan kur ngjarja kishte ndodhur. Komshinjtë kishin provuar të lidheshin me policinë por s’ishin lidhur dot dhe më tregoi se ajo ka shkuar deri në komisariatin e Pogradecit me biçikletë për të lajmëruar. Hymë në banesë kur mbaroi policia veprimet. Ngjarja kishte ndodhur në kuzhinë. Midis dy divaneve në tokë. Kishte dy gisht gjak. Bashkëshortja ime e pastroi. Jemi tmerruar”.

Mjeku psikiatër Gentian Cala, thotë se ka vizituar më parë Olsin dhe se është person me probleme mendore. Ai tregon se 44-vjeçari vuante nga çrregullimet mendore si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike dhe se nën efektin e tyre dhunonte anëtarët e familjes. Mjeku psikiatër nga ana tjetër, pohon se autori nuk pranonte të merrte mjekime, ndërsa e ëma, e mbetur viktimë në këtë ngjarje, shkonte shpesh në qendrën e shëndetit mendor dhe kërkonte recetë për të birin. “Autori vuante nga çrregullime mendore, të cilat kishin si shkak përdorimin e substancave narkotike. 44-vjeçari, nën efektin e narkotikëve dhunonte anëtarët e familjes. 44-vjeçari nuk pranonte të merrte mjekime. E ëma shkonte shpesh në qendrën e shëndetit mendor dhe kërkonte recetë për të birin”.

SHKARKO APP