I preu kokën nënës, burg për 44-vjeçarin. Ish-gruaja kërkon kujdestarinë e vajzës
Krimi makabër i Olsi Çekiçit tronditi mbarë opinionin publik. Gjykata e Pogradecit, në seancën e së hënës vendosi masën “arrest me burg” për 44-vjeçarin që vrau me thikë nënën e tij. Vendimi u dha nga gjyqtarja Luljeta Kolonja, pas akuzave të ngritura nga prokurori Gjergj Ceka. Autori u mbrojt nga avokati Sokol Mihali. 44-vjeçari u shfaq i qetë në seancë dhe me maskë në fytyrë. Në sallën e gjyqit ishte i rrethuar nga tre policë. Në dyert e gjykatës është parë edhe avokati i ish-gruas së Olsit, i cili kërkon që kujdestarinë e adoleshentes ta marrë e ëma. Nëna e 15-vjeçares është nisur nga Italia drejt Shqipërisë dhe pritet të fillojë procesin për të kërkuar kujdestarinë e së bijës.
Ngjarja e rëndë tronditi Pogradecin më 6 gusht. Olsi Çekiçi i preu kokën me thikë nënës së tij, 70-vjeçares, Firdes Çekiçi dhe e vari në derë të shtëpisë. 44-vjeçari la të plagosur edhe vëllain e tij. Ai u arrestua menjëherë nga policia dhe u gjet i përlyer në gjak. Fillimisht sherri nisi mes Olsit dhe vajzës së tij, për një celular. 44-vjeçari kishte kishte dashur të vriste të bijën dhe në këto momente ndërhyri nëna e tij. Ai e vrau menjëherë këtë të fundit.
Edhe pse për ngjarjen nuk ka ndonjë mëdyshje mbi dinamikën apo autorësinë, hetimet pritet të përqendrohen edhe në faktin e trajtimit të problemeve mendore që ka pasur autori i kësaj ngjarje. Sipas Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinci” në Elbasan, ku 44-vjeçari Olsi Çekiçi ka qenë i shtruar në muajt janar dhe tetor të viti 2019, ku ka qëndruar shtruar për 10 ditë. Në kartelën e tij është shënuar që 44-vjeçari ishte kuruar për varësi ndaj lëndëve narkotike dhe se nuk kishte shfaqur shenja të tjera të agresivitetit apo çrregullimeve të tjera që janë kusht për mbajtjen e izoluar të një personi.
Ky hetim duhet të shërbejë që autoritetet të kthejnë vëmendjen edhe ndaj personave të tjerë që dihen që janë me probleme të shëndetit mendor por që enden rrugëve pa trajtim mjekësor. Olsi është shumë aktiv edhe në rrjetet sociale. Në facebook, ai bënte postime të njëpasnjëshme, ku shfaqet edhe si besimtar dhe falënderon Allahun por edhe jep mesazhin se beson në dashuri. 44-vjeçari na ka treguar se është një fans i këngëtares së njohur Dua Lipa, pasi më 30 qershor të këtij viti ka publikuar disa foto të saj. Ajo që vihet re tjetër është nuk kanë munguar as komentet nga të afërmit dhe miqtë e tij, në fotot dhe postimet që bënte 44-vjeçari.
Mjeku psikiatër Gentian Cala, thotë se ka vizituar më parë Olsin dhe se është person me probleme mendore. Ai tregon se 44-vjeçari vuante nga çrregullimet mendore si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike dhe se nën efektin e tyre dhunonte anëtarët e familjes. Mjeku psikiatër nga ana tjetër, pohon se autori nuk pranonte të merrte mjekime, ndërsa e ëma, e mbetur viktimë në këtë ngjarje, shkonte shpesh në qendrën e shëndetit mendor dhe kërkonte recetë për të birin. “Autori vuante nga çrregullime mendore, të cilat kishin si shkak përdorimin e substancave narkotike. 44-vjeçari, nën efektin e narkotikëve dhunonte anëtarët e familjes. 44-vjeçari nuk pranonte të merrte mjekime. E ëma shkonte shpesh në qendrën e shëndetit mendor dhe kërkonte recetë për të birin”.