I riu në Tiranë dënohet me burg se zuri hyrjen e ministrit
Marsel Shehu kishte dalë për shëtitje bashkë me qenin e tij më 4 qershor të këtij viti,por pa e menduar se do të përfundonte në qeli. 29-vjeçari në orën 9:20 minuta, teksa qëndronte i ulur në një shkallë pranë Ministrisë së Brendshme, u pikasur nga polici Abdulla Lika i cili i është afruar duke i kërkuar të largohet, pasi po qëndronte në shkallët e një objekti të rëndësisë së veçantë.
Sipas deklarimeve të policit, i riu që mbante edhe një çantë në shpinë ishte ulur pranë hyrjes së ministrit të Brendshëm. Polici ka lajmëruar shefin e tij. 29-vjeçari është shoqëruar në komisariat dhe sipas pretendimit të policëve, i ka ofenduar dhe kërcënuar duke u bërë edhe foto.
Me gjykim të shkurtuar, në përfundim i riu u dënua me 20 ditë burg por ky dënim do të konvertohet me 60 orë pune me interes publik. Gjykata e ka cilësuar të ligjshëm urdhrin e policisë për t’u larguar nga qëndrimi pranë hyrjes së ministrit të Brendshëm dhe çmon se ky dënim do t’i shërbejë edukimit të të pandehurit si dhe parandalimit të përgjithshëm të kësaj vepre penale në shoqëri. /Euronews Albania/