I riu nga Pogradeci vritet në Siri, luftonte për ISIS

Një ditë pas lajmit për vrasjen në Siri të një luftëtari kosovar, mësohet se ka dyshime që të njëjtin fat ka pasur një i ri nga Pogradeci i Shqipërisë. Familjarët e djaloshit nga fshati Rëmenj i Pogradecit, i quajtur Dorian Kuqo, u kanë thënë autoriteteve policore se njeriu i tyre ka humbur jetën gjatë luftimeve. Megjithatë, lajmi për vdekjen e tij mbetet ende i pakonfirmuar zyrtarisht, ashtu siç ka ndodhur edhe me rastet e shqiptarëve të tjerë që janë vrarë duke luftuar përkrah ISIS-it në Siri apo Irak.

Vështirësia për konfirmimin e vdekjes së një shtetasi shqiptar qëndron në pamundësinë e marrjes së informacionit direkt nga vendi i ngjarjes, pasi gjithçka ndodh brenda territorit të Kalifatit Islam. Megjithatë, burime nga Drejtoria e Antiterrorit kanë thënë dyshimi për vdekjen e shqiptarit ka ardhur duke iu referuar deklarimeve të prindërve dhe familjarëve të Dorian Kuqos.

Ndonëse të afërmit pohojnë se Doriani ka humbur jetën, autoritetet kanë dyshime për vërtetësinë e këtij informacioni, pasi mendojnë se kjo është një strategji e familjarëve, “për të hequr qafe” agjentët dhe oficerët e agjencive ligjzbatuese, të cilët interesohen për këtë rast.

Dyshimi i vdekjes

Dorian Kuqo, banues në fshatin Rëmenj, vetëm një kilometër larg Pogradecit, është larguar drejt Sirisë në datën 4 korrik të vitit 2013 dhe rezulton si person i pakthyer në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai është rreth 25 vjeç dhe para se të largohej ka marrë leksione direkt nga Genci Balla, imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, i cili po gjykohet tashmë nga Krimet e Rënda për rekrutimin e luftëtarëve dhe dërgimin e tyre në luftë. Prej asaj kohe ai nuk është kthyer më në shtëpinë e tij, teksa herë pas here komunikonte me familjarët e tij. Por kohët e fundit, të afërmit u kanë treguar strukturave përgjegjëse për këto raste se nuk kanë marrë më lajm për Dorianin. Referuar dëshmive të tyre, dikush u kishte telefonuar për t’u dhënë lajmin për vdekjen e Dorian Kuqos, në frontin e luftimeve në Siri. Por duket se këto deklarime nuk i kanë bindur autoritetet, të cilat dyshojnë se është një taktikë e të afërmve për të mos kontaktuar më me strukturat mbikëqyrëse. Deri më tani ky informacion po trajtohet me të dyja anët e medaljes, qoftë asaj të së vërtetës absolute, ashtu edhe asaj të manovrës familjare.

Precedentët

Rasti më i freskët i një shqiptari të vrarë gjatë luftimeve në Siri është ai i Bekim Mulollit. Shqiptari i Kosovës është vrarë në Siri duke luftuar përkrah ISIS. Bekim Mulolli, nga Prishtina mbeti viktimë e luftimeve teksa luftonte krah grupit islamik të ISIS. Familjarë të Mulollit u shprehën se i riu kishte lënë amanet për të mos folur me asnjë person në rast se ai vritej në këtë luftë. Pra edhe në këtë rast janë familjarët ata që kanë konfirmuar vdekjen e të afërmit të tyre. Shqiptari nga Kosova, Bekim Mulolli, ishte pjesë e një procesi gjyqësor të nisur kohë më parë, pasi ai akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në grupe të dyshuara terroriste, si dhe për sulme dhe nxitje të urrejtjes fetare. Mësohet po ashtu se në luftë përkrah grupit terrorist ISIS në Siri është edhe vëllai i tij, Bashkim Mulolli, i cili ndodhet atje që nga viti 2012.

Një tjetër shqiptar nga Sauku i Tiranës, i quajtur Ervin Hasanaj, është vrarë para pak kohësh në Siri. Për vrasjen e tij ka shumë dyshime, pasi mendohet se u ekzekutua nga vetë ISIS, pasi ka tentuar të largohej nga frontet e luftimeve. Në dosje ndërlidhësi është një nga dy imamët e vetëshpallur, Bujar Hysa. Ky i fundit tashmë ndodhet mes 9 të arrestuarve që po gjykohen nga Krimet e Rënda. Deri më tani është konfirmuar vdekja e 17 shqiptarëve nga territori i Republikës së Shqipërisë, gjatë luftimeve në Siri dhe Irak. Gjendja atje raportohet të jetë tepër e ashpër dhe luftëtarët e huaj përpiqen t’i braktisin frontet. Të paktën 90 shqiptarë kanë shkuar atje, ndërsa disa prej tyre kanë marrë me vete gratë dhe fëmijët.

SHKARKO APP