I sekuestrohen mbi 40 mijë euro një gruaje në Kakavijë. Policia jep detaje
Një shumë prej 41 mijë euro janë sekuestruar nga policia në pikën e kalimit kufitar, ndërsa një grua nga Fieri, 41 vjeçare po ndiqet penalisht.
Policia sqaron se sasia e parave ishte fshehur në çantë dhe në trupin e gruas, ndërsa në komunikatë thuhet se shuma e parave dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i të afërmeve të kësaj shtetase.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare në bashkëpunim me doganën, evidentojnë dhe godasin një rast të tentativës për të transferuar në mënyrë të paligjshme jashtë vendit vlera monetare.
Procedohet penalisht një 46-vjeçare nga Fieri për mosdeklarim të të hollave në kufi.
Sekuestrohen 41 200 Euro të cilat kjo shtetase nuk i deklaroi në Kakavije gjatë përpunimit të dokumentacionit.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, efektivat e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije, përzgjodhën për kontroll në vijën e dytë shtetasen M. Sh., 46 vjeçe, banuese ne Fier.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë kësaj shtetase nga ana e shërbimeve të policisë kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore, iu gjetën të fshehura në çantë dhe në trup një sasi prej 41.210 euro të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i të afërmëve të kësaj shtetase.
Në vendngjarje kanë mbritur Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare ne D.V.P. Gjirokastër, të cilët bënë sekuestrimin e shumës së eurove dhe në bashkëpunimin me Prokurorinë filluan procedimin penal ndaj 46-vjeçares për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.