I shpëtoi atentatit me 9 plumba, por u arrestua. Familja e Edison Begajt: Policia tendencioze
Edison Begajt i shpëtoi atentat, por përfundoi i plagosur në pjesën e këmbëve. 38-vjeçari Begaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai është i dënuar për drogë më 7 vite e 6 muaj burg në 2010, ndërsa është bërë edhe subjekt i OFL-së në lidhje me pasurinë e tij. Ditët e fundit ai u arrestua pas operacioneve të policisë në Vlorë, kjo për armëmbajtje pa leje.
Arrestimi me bujë në mes të shëtitores Lungonare, ka sjellë reagimin e familjarëve të Begaj. Djali i xhaxhait të Edison Begajt, hedh akuza për policinë, duke thënë se ka qenë tendencioze.
“Gjithçka tendencioze. Policia nuk e mbrojti dot, u plagos me 9 plumba në sy të fëmijëve. Armen e kishte për vetëmbrojtje. Nëndrejtori erdhi te biznesi dhe bëri me shenjë për të arrestuar Edisonin. Edisoni nuk ka bërë krim, po mbronte jetën e tij, ndërkohë që atentatori i tij endet i lirë. Atentatori ishte veshur si polic, u gjet veshja, u gjet makina, u gjet arma, por jo autori. Edisoni ka lënë dy fëmijët e mitur rrugëve”, u shpreh Mikel Begaj për ”A2cnn”.
Më 29 maj, ndaj Edison Begaj u bë atentat në hyrje të shtëpisë së tij në Kaninë, ku prezent ishin edhe dy fëmijë të mitur 7 dhe 6 vjeç. Në atentat, Begaj u plagos me 9 plumba. Ndërsa pas ngjarjes, policia sekuestroi pamjet, u gjet makina e atentatorëve dhe veshja e atentatorit. Atentatori ishte i veshur si polic, dhe ishte pa maskë. Policia ende nuk e ka ndaluar dhe sipas bluve ai nuk është identifikuar ende.
Çfarë ka bërë policia për kapjen e autorit të atentatit?
Policia deri tani nuk ka bërë asgjë, thjesht shtriu Edisonin për herë të dytë para biznesit të tij, duke qenë i plagosur me 9 plumba. Këto janë prapaskena, nuk gjendet autori që e ka plagosur por merren akoma me Edisonin që ka 9 plumba në këmbë.Është i shtruar në spital. Duam të dalë e drejta, kush e plagosi. Armën e mbante për vetëmbrojtje, për çfarë mund ta mbajë tjetër një person kur nuk ka mbrojtje nga shteti. Duhet të kapet autori, këtë duhet të bëjë policia. Dy fëmijët e mitur i kam unë në shtëpi. Edisoni është i ndarë. Ka babain të sëmurë në koma, e ëma i vdiq para tre muajsh. Është prind i vetëm, vetë baba dhe nënë. Fëmijët janë terrorizuar sepse kanë qenë në makinë kur u plagos.