I sjellin çadrat e konkurrentit para hotelit/ Pronarja: Jam qytetare amerikane, mos më ngri zëri se të sjell ambasadën këtu
Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për spastrim të territorit nga pronarë që janë në shkelje të ligjit, një situatë e pazakontë është krijuar në plazhin e Velipojës. Pronarja e një biznesi ka debatuar me policinë gjatë aksionin për çlirimin nga subjektet pa leje të vijës bregdetare. Pronarja e hotelit tha se ka marrë leje për një parcelë, por se hapësirën për të vendosur çadra dhe shezlongët para hotelit të saj i’a ka zënë një biznes tjetër, që ka aplikuar dhe ka marrë leje. Policia ka thënë se ajo e ka hapësirën, më larg hotelit të saj, por kjo është refuzuar nga pronarja, e cila shprehet se asnjë klient nuk i vjen kaq larg hotelit për të marrë shezlong. Efektivët i ka thënë që ta zgjidhë me institucionin që i ka dhënë leje, pasi ata vetëm kontrollojnë nëse janë zbatuar siç duhet lejet, por nuk caktohet territor apo nuk përcaktojnë hartën dixhitale të ndarjes së parcelave.
Debati i plotë
Pronarja: Kam marrë leje, kam paguar dhe nuk kam ku të vendos shezlongët pasi nuk më dalim metrat, para hotelit tim kam biznes tjetër. Tani a zgjidhni ju.
Policia: Kush jua ka zënë?
Pronarja: Këtë zgjidheni ju. Kemi aplikuar me parcela, i kemi këtu, kam marrë lejen dhe i ka aplikanti tjetër aktualisht.
Policia: Do të zgjidhet dhe do e masim me metër në dorë dhe çdo pjesë që ju takon do e merrni.
Pronarja: Unë nuk jam e marrme të hy para biznesit tjetër e dua para hotelit tim, këtë zgjidheni ju.
Policia: Ta liruam hapësirën që ke marrë leje, ja ku e ke.
Pronarja: Unë jam qytetare amerikane, mos më ngri zëri se të sjell ambasadën këtu. Si mund të ma sjellësh mua këtu në fund. Mua nuk më vjen klienti këtu. Gjeje hapësirën para biznesit tem, nuk më vjen mua klienti këtu.
Policia: Atë zgjidhe me institucion që të ka dhënë lejen dhe hartën dixhitale.