I vidhnin njerëzve varëset e floririt nga qafa, në pranga një nga autorët
Një person është vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi dyshohet se janë autorë të së paku tre vjedhjeve me dhunë të varëseve të floririt.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë në kuadër të operacionit policor të koduar “Cooperation”, arrestuan shtetasin R. S., 30 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për “Vjedhje” dhe shpallën në kërkim shtetasin A. G., 30 vjeç, banues në Durrës edhe ky i dënuar më parë për “Vjedhje”.
Policia njofton se “këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në fshatin Yrshek i kanë marrë forcërisht nga qafa varësen e floririt shtetases M. L. Po këta shtetas në vendin e quajtur Pezë-Helmez, i kanë marrë me dhunë varësen e floririt nga qafa shtetases F. R. Në vijim të hetimeve rezultoi se shtetasi A. G., më datë 4 tetor i kishte marrë me dhunë një shtetasi varësen nga qafa”.
Materialet në ngarkim të dy shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim”.