I vodhën biçikletën, belgu e gjen në Fier. U mobilizua qeveria
Një qytetar nga Brukseli ka arritur që të gjejë biçikletën e tij të vjedhur në Fier. Pas humbjes së saj e shumë muaj kërkime, ai ka arritur që ta lokalizojë mjetin e tij falë një aplikacioni në celular që e kishte të lidhur me dyrrotakun elektronik. Denis Hacquin, biçikleta elektrike e të cilit u vodh një muaj më parë deklaroi se kishte qënë shumë pranë humbjes së shpresave. Vetëm pasi depozitoi një denoncim pranë Policisë lokale, Hacquin tha se kishte gjetur biçikletën e tij. Me të marrë vesh se mjeti i tij kishte ardhur në Shqipëri, belgu i shkoi në Twitter kryeministrit Edi Rama.
”@ediramaal Përshëndetje, unë po përpiqem të marr ndihmë ose të lidhem me autoritetet për të rikuperuar një e-bike që u vodh nga unë në Belgjikë dhe që ka vendndodhjen aktuale në Fier. Çdo lloj ndihme ose udhëzimi do të vlerësohej jashtëzakonisht shumë”-i shkruante i vendosur Hacqiun. I irrituar pasi policisë iu deshën dy javë për t’iu kthyer përgjigje pas raportit, Hacquin e mori vetë situatën nën kontroll dhe postoi në forumin online Reddit. Atje pasi tregoi brengën e tij, mori përgjigje nga gati 100 shqiptarë të gatshëm për ta ndihmuar që të gjente biçikletën e tij.
Njëri nga njëqind e këshilloi që të kontaktonte Ministrinë e Brendshme Shqiptare, gjë që bëri. ”Unë e dërgova një e-mail dhe një ditë më pas ata gjetën biçikletën time. Biçikleta u gjet nga autoritetet në Fier falë aplikacionit Find my biçikletë dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të zv/ministres së brendshme Romina Kuko. Kjo e fundit ka qënë shumë ndihmuese dhe e përgjegjshme”-tha ai. E vetmja gjë që ka mbetur tanimë është transporti i mjetit në Belgjikë.
Ky artikull i medias blege tregon shumë për vendin dhe shtetin tonë. Përveç faktit që në Reddit janë më shumë se 100 vetë të gatshëm që të ”spiunojnë” atdhetarin e tyre. Nuk mund të lihet pa u vënë re efikasiteti i Policisë së shtetit. Është e vërtetë që paratë e grabitjes së Rinasit nuk janë gjetur akoma, kriminelë që kanë kryer vrasje janë ende në kërkim, shifra të çmendura lëndësh narkotike trafikohen çdo ditë brenda dhe jashtë vendit por biçikleta e një të huaji gjendet sa hap e mbyll sytë. /Dosja.al/