I vodhi Instagramin dhe i kërkonte 40 mijë euro, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari
Një 35-vjeçar është kapur në momentin që do të merrte paratë nga një 31-vjeçar, të cilit i kishte vjedhur llogarinë e Instragram-it dhe e shantazhonte duke i kërkuar 40 mijë euro që të mos i publikonte komunikimet. Pas kallëzimit të bërë nga 31-vjeçari, policia organizoi punën për arrestimin e tij, ndërsa po punon për kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me të. Policia ka sekuestruar edhe 7 celularë, 2 disqe dhe 1 USB.
Njoftimi i Policisë
Policia e Shtetit/Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, operacione të njëpasnjëshme për goditjen e krimeve kibernetike. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Double click”. Operacioni, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Prokurorinë e Tiranës.
Shantazhoi një shtetas për t’i marrë 40 000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur në Instagram, arrestohet në momentin që do të merrte paratë, 35-vjeçari. Policia vijon të punojë për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me 35-vjeçarin, për këtë rast.
Sekuestrohen 7 celularë, 2 disqe dhe 1 USB. Në vijim të monitorimit, hetimeve proaktive dhe punës intensive që po kryhen nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për goditjen e krimeve kibernetike, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 31-vjeçari, se ishte shantazhuar nëpërmjet celularit, për dhënien e një shume të konsiderueshme parash, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Double click”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë teksa merrte paratë nga 31-vjeçari, shtetasi A. H., 35 vjeç. Ai dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, një shtetas, për t’i marrë 40 000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur, në rrjetin social Instagram. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”